AKB-ja: Çdo ditë vonesë për gazin amerikan i kushton Kosovës miliona euro, qeveria të marrë vendim menjëherë

10 qershor 2026 | 14:14

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur shqetësimin e thellë se Kosova, edhe pas më shumë se dy dekadash liri dhe 18 vitesh shtetësi, vazhdon të mos ketë një strategji të qartë dhe afatgjatë për sigurinë energjetike të vendit.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka thënë se derisa vendet e rajonit po investojnë në diversifikimin e burimeve energjetike dhe po lidhen me rrjetet moderne të gazit natyror, Kosova rrezikon të mbetet ishulli i fundit energjetik në Evropë, e izoluar nga projektet strategjike që garantojnë zhvillim ekonomik dhe siguri kombëtare.

“AKB-ja vlerëson se refuzimi ose neglizhimi i mundësisë për t’u përfshirë në projektet e gazit natyror dhe LNG-së amerikane do të ishte një gabim historik me pasoja të rënda ekonomike, energjetike dhe gjeopolitike për Republikën e Kosovës. Për komunitetin e biznesit, kjo nuk është çështje politike, por çështje mbijetese dhe zhvillimi ekonomik. Pa furnizim të sigurt dhe të qëndrueshëm me energji nuk mund të ketë industri konkurruese, investime serioze, vende të reja pune dhe rritje ekonomike të qëndrueshme. Bizneset kosovare tashmë po përballen me kosto të larta të energjisë dhe pasiguri në furnizim, duke humbur konkurrueshmërinë në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare. Çdo vonesë në marrjen e vendimeve strategjike po i kushton ekonomisë së vendit miliona euro dhe po dekurajon investitorët e huaj”, ka thënë Shahini, duke shtuar se AKB-ja mbështet fuqishëm bashkëpunimin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vlerëson se qasja në gazin amerikan përfaqëson jo vetëm një alternativë energjetike, por edhe një garanci për sigurinë ekonomike dhe gjeopolitike të Kosovës.

“AKB-ja i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës, Kuvendit dhe të gjitha institucioneve përgjegjëse që të ndalin hezitimet, kalkulimet politike dhe zvarritjet administrative. Energjia nuk pret ciklet zgjedhore. Vendimet që nuk merren sot do të paguhen shtrenjtë nesër nga qytetarët dhe bizneset. Ftojmë partnerët strategjikë amerikanë dhe institucionet relevante që të vazhdojnë mbështetjen për projektet energjetike që e lidhin Kosovën me rrjetet moderne rajonale dhe evropiane. Koha për analiza të pafundme ka përfunduar. Tani është koha për vendime të guximshme dhe vizionare. Kosova duhet të zgjedhë mes varësisë energjetike dhe sigurisë energjetike. AKB-ja është qartë në anën e sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Shahini.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e…