Azemi: S’përjashtohet mundësia që shtesat prej 100 eurosh për sektorin privat të mos ekzekutohen fare
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka shprehur dyshime se shtesat prej 100 eurosh të premtuara për punëtorët e sektorit privat mund të mos ekzekutohen fare, duke kërkuar sqarime publike nga Ministria e Financave dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti për vonesat në realizimin e pagesave.
Gjithashtu ai përsëriti se shtesat prej 100 euro u miratuan për ekzekutim në kohë fushate.
Azemi në një intervistë për “Ekonomia Online” ka bërë me dije se i është drejtuar publikisht institucioneve përgjegjëse pasi, sipas tij, pas përfundimit të zgjedhjeve nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar lidhur me afatin e shpërndarjes së mjeteve për punëtorët e sektorit privat.
“Punëtorët e sektorit privat gjithmonë dëmtohen kur janë në pyetje ndarjet financiare. Kjo shumë prej 100 eurosh është simbolike dhe nuk është diçka e madhe për t’u përmendur, por megjithatë është premtuar. Para zgjedhjeve, kryeministri, ministri i Financave dhe ministrat e tjerë dilnin vazhdimisht dhe tregonin hap pas hapi se ku kishin arritur procedurat. Tani zgjedhjet kanë përfunduar dhe jemi në ditën e tretë pa asnjë deklarim nga Qeveria. Askush nuk po thotë nëse mjetet do të ndahen pas një dite, dy apo një jave. Kjo është arsyeja pse kemi kërkuar sqarim publik”, ka thënë Azemi.
Ai ka deklaruar se mungesa e informacionit po krijon dyshime serioze tek punëtorët dhe vetë sindikata.
I pyetur nëse pret përgjigje nga Qeveria, Azemi ka thënë se nuk beson se do të marrë ndonjë reagim personal, por insistoi se institucionet kanë obligim t’u japin llogari qytetarëve.
Azemi e lidhi vonesën edhe me periudhën zgjedhore, duke thënë se para zgjedhjeve procedurat zhvilloheshin me ritëm shumë më të shpejtë.
“Para zgjedhjeve punohej natë e ditë për të proceduar vendimet dhe për të siguruar që këto mjete të ndaheshin. Tani kanë kaluar tri ditë dhe nuk ka asnjë lëvizje konkrete. Kjo të shtyn të mendosh se ndoshta këto pagesa janë përdorur si premtim elektoral dhe jo si masë e mirëfilltë sociale. Shpresoj të jem gabim, por faktet aktuale po krijojnë dyshime”, ka thënë ai.



