Ish-piloti i “Air Canada” drejtoi aeroplanë për gati 17 vjet me patentë false, thotë policia
Një ish-pilot i kompanisë ajrore “Air Canada” ballafaqohet me akuza për drejtimin e aeroplanëve dhe transportimin e dhjetëra mijëra udhëtarëve për gati 17 vjet me një patentë të rreme për pilot, njoftoi të martën policia kanadeze.
Geoffret Wall u arrestua më 1 qershor, pasi hetuesit thonë se ai kishte udhëhequr mbi 900 fluturime vendëse e ndërkombëtare mes viteve 2009 e 2025, pa marrë ndonjëherë licencë të duhur ose pa e përfunduar testimin e detyrueshëm, raporton televizioni CNN.
“Ky hetim dhe hollësitë që e rrethojnë atë lexohen si skriptë filmi” – tha nënkomandanti i policisë lokale në një konferencë për shtyp në Ontario.
Piloti ishte ngritur në detyrën e kapitenit dhe për gati 17 vjet kishte drejtuar aeroplanë të tipave Boeing 767, 777 dhe 787, duke u paguar gati 3 milionë dollarë kanadezë për punën e bërë.
Wall ishte i licencuar për të drejtuar aeroplanë komercialë për tërë karrierën e tij 27-vjeçare në kompaninë “Air Canada”, por policia thotë se ai nuk posedonte asnjëherë Licencë për Pilot të Transportit të Linjave Ajrore për Aeroplanë, e njohur edhe si ATPL-A, e cila kërkohej, kur ai ishte ngritur në pozitën e kapitenit më 2009.
“Kjo është shumë e ngjashme me një mjek që është i licensuar për ta praktikuar mjekësinë familjare, por bën operacione në tru në zyrën e vet” – tha nënkomandanti policor, Milinovich.
Piloti ishte kapur pas një ekzaminimi rutinor të kredencialeve të tij vitin e kaluar, ku ishin shfaqur “anomali… brenda dokumentacionit të licencës për pilot” dhe kompania i kishte njoftuar rregullatorët, thanë hetuesit.
Ai u pensionua në vitin 2025, para se të niste hetimi i rregullatorit dhe i autoriteteve të drejtësisë në janar./Nacionale



