‘Teatri prapa perdeve’, ekspertët britanikë përmendim veprimet e Trendafilovës në dëm të liderëve të UÇK-së
Kur një gjyqtar i Apelit në Gjykatën Speciale, Kai Ambos, kishte folur për mundësinë që Hashim Thaçi të lirohej për mbrojtje në liri në një vend të tretë, kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, e kishte ndryshuar panelin e gjyqtarëve. Kai Ambos ishte larguar.
Kjo është një nga praktikat shqetësuese në një gjykatë që synon të ndajë drejtësi, e cila është përmendur të enjten në Hagë nga ekspertët e organizatës “The Bar Human Rights Committee of England and Wales” (BHRC), gjatë prezantimit të raportit për Gjykatën Speciale.
Raporti i tyre, prej 90 faqesh, ka konstatuar shkelje të të drejtave të të akuzuarve në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Një tjetër aspekt shqetësues, që u përmend nga hulumtuesit Gus Waschefort dhe Lauren Lederle, ishte koha e gjatë e marrjes në pyetje nga ana e gjyqtarëve, krahasuar me kohën që u jepej palëve mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së.
Kjo, sipas tyre, detyronte mbrojtjen të shpenzonte orë të tëra për të sqaruar çështje të ngritura nga gjyqtarët gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarëve.
Ndërkohë, prokuroria shfrytëzonte vetëm pak minuta për t’iu përgjigjur çështjeve të ngritura nga gjyqtarët.
Sipas hulumtuesve, kjo nënkupton mungesë të barazisë së armëve ndërmjet palëve, një parim i garantuar nga standardet ndërkombëtare të drejtësisë.
Në konferencë, hulumtuesit e BHRC-së kanë përmendur edhe raste kur gjyqtarët, veçanërisht Guénaël Mettraux, kanë bërë pyetje sugjestive gjatë seancave gjyqësore.
Takimi i dhjetorit 2020 mes Ekaterina Trendafilovës dhe prokurorit Jack Smith me ambasadorë të Bashkimit Evropian është cilësuar nga hulumtuesit britanikë si diçka e pazakontë.
Sipas tyre, deklarimet e bëra aty lidhur me lirimin ose jo të krerëve të UÇK-së përbëjnë cenim të parimit të prezumimit të pafajësisë.
Gjatë prezantimit të raportit është konstatuar po ashtu se dokumentet e siguruara nga Serbia dhe pranimi i një pjese të madhe të tyre pa një procedurë të plotë testimi dhe verifikimi kanë qenë ndër kontestimet kryesore.
Hulumtuesit kanë theksuar se pranimi i këtyre dokumenteve është problematik, duke pasur parasysh qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës. Sipas raportit të BHRC-së, prokuroria ka përdorur rreth 2354 dokumente të siguruara nga Serbia.
Në këtë konferencë në Hagë janë ftuar edhe përfaqësues të Gjykatës Speciale. Megjithatë, askush nga përfaqësuesit e saj nuk është paraqitur.
Ftesën drejtuar Gjykatës Speciale e ka konfirmuar gjatë konferencës Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, në fjalën e tij hapëse.
Qelaj ka theksuar se raporti është autentik dhe i pavarur, i hartuar nga organizata BHRC pa asnjë ndërhyrje nga institucionet e Kosovës apo nga ndonjë instancë tjetër.
Të pranishëm në këtë konferencë kanë qenë diplomatë të vendeve të Bashkimit Evropian, si dhe përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Hagë.
Kujtojmë se zyrtarë të Gjykatës Speciale ndonëse janë ftuar të marrin pjesë në këtë konferencë, por të njëjtin nuk janë paraqitur, duke refuzuar pjesëmarrjen.



