Ish-krerët e UÇK-së nga Haga ngushëllojnë familjen Jashari: Sahit Jashari i shërbeu atdheut në ditët më të vështira
Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqi, ka bërë me dije se ish-krerët e UÇK-së që gjenden në paraburgim në Hagë e kanë ngushëlluar Familjen Jasharai me rastin e vdekjes së ish-komandantit të UÇK-së, Sahit Jashari.
“Sot, përmes telefonatës së mëngjesit, babai me shokët e tij, që gjenden padrejtësisht në Hagë, më porositën t’jua përcjell telegramin e ngushëllimit në vijim: Të nderuar familjarë të z. Sahit Jashari. Të nderuar bashkëkombës. Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të luftëtarit të lirisë dhe heroit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sahit Jashari. Jeta dhe vepra e tij do të mbeten përherë pjesë e historisë sonë kombëtare. Me guxim, përkushtim dhe sakrificë, ai i shërbeu atdheut në ditët më të vështira, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar për brezat që do të vijnë. Në këto çaste të rënda, shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen Jashari, bashkëluftëtarët, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën dhe e vlerësuan. Qoftë i përjetshëm kujtimi për luftëtarin Sahit Jasharin dhe e paharruar vepra e tij në shërbim të lirisë dhe atdheut.
Me respekt,
Bashkëluftëtarët e z. Sahit Jashari
Hagë, 12 qershor 2026”, ka shkruar Altin Krasniqi në “Facebook”.



