12 Qershori, Osmani: Kosova do të vazhdojë të ecë përpara e lirë

12 qershor 2026 | 11:16

Ish-presidentja Vjosa Osmani ka thënë se 12 Qershori është dita kur lotët e dhimbjes nisën t’i lëshojnë vend shpresës.

“Dita kur Kosova filloi të marrë frymë e lirë. Dita kur ëndrra e shumë brezave për liri u bë realitet. Kjo është dita kur mbi tokën e djegur e të stërvuajtur të Kosovës zbarkoi shpresa. Dhjetëra mijëra ushtarakë të shteteve të NATO-s hynë në Kosovë, duke sjellë dritë në vend të errësirës së pafund që përjetonte populli ynë prej shekujsh”, ka shkruar ajo në “Facebook”.

Osmani ka thënë se sot, me dhimbje e krenari, kujtojnë bijat dhe bijtë më të mirë të këtij vendi, dëshmorët e UÇK-së të prirë nga Kryekomandanti Adem Jashari, si dhe martirët e lirisë që dhanë jetën që ne të jetojmë të lirë.

“Kujtojmë familjet që sakrifikuan gjithçka, të mbijetuarit që bartën plagët e luftës dhe të gjithë ata që nuk u dorëzuan kurrë përballë padrejtësisë. Në këtë ditë të shenjtë shprehim mirënjohjen e pafund për vizionin e Atit Themeltar të Republikës sonë, Presidentit Rugova, i cili në kohët më të rënda të historisë sonë diti të ndërtojë aleanca që na u gjendën pranë në ditët më të vështira. Mirënjohja e popullit te Kosovës për aleatët e lirisë do të mbetet e përjetshme. Kosova do të vazhdojë të ecë përpara e lirë, e pavarur, sovrane, e përjetshme! Sepse përjetësinë ia dhanë dëshmorët dhe martirët e lirisë, vizioni i Presidentit Rugova dhe aleatët që na qëndruan në krah”, ka shkruar Osmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me rastin e 27-vjetorit të Çlirimit të Kosovës, kryetari i…