Hargreaves: Është në interesin e të gjithëve Kosovë që komunitetet joshumicë të duan të jenë pjesë e të ardhmes së Kosovës
I ngarkuari me punë në Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka folur për situatën në veri të vendit dhe për pritjet e komuniteteve joshumicë në Kosovë.
Ai ka theksuar se qytetarët, përfshirë edhe serbët e Kosovës, kanë nevoja të përbashkëta sa i përket jetesës dhe zhvillimit.
“Po, e mendoj. Po. Mendoj se, si shumica e njerëzve, ata duan arsim cilësor, qasje të mirë në shëndetësi, mundësi punësimi dhe zhvillimi ekonomik, si dhe një mjedis të sigurt për familjet e tyre. Ata jetojnë në Kosovë dhe këto janë gjërat që kërkojnë më së shumti”, ka thënë Hargreaves.
Ai ka shtuar se është në interes të Kosovës që të gjitha komunitetet të ndihen të sigurta dhe të kenë mundësi të ndërtojnë jetën e tyre në vend.
“Mendoj se serbët e Kosovës duan të jenë pjesë e së ardhmes së vendit”.
“Dhe mendoj se është në interes të Kosovës që ata të ndihen të sigurt se mund ta ndërtojnë jetën e tyre këtu”, ka shtuar Hargreaves për “Kosovapress”.
Në një pjesë tjetër të intervistës, ai ka folur edhe për sundimin e ligjit dhe zbatimin e tij në mënyrë të kujdesshme në gjithë territorin e Kosovës.
“Siç tha Rainer, kjo është një mundësi e rëndësishme që sundimi i ligjit të zbatohet në të gjithë vendin, por në një mënyrë që të mos dëmtojë në mënyrë disproporcionale ata qytetarë që për arsye të ndryshme e kanë pasur të vështirë të përshtaten me kushtet e reja. Është shumë e rëndësishme që qeveria t’i zbatojë angazhimet që mori më 14 mars”, ka thënë Hargreaves.
Ai ka theksuar se në mënyrë më të gjerë, është në interes të të gjithë qytetarëve që komunitetet joshumicë të ndihen të përfshira në shoqëri.
“Në mënyrë më të gjerë, mendoj se është në interesin e të gjithëve në Kosovë që komunitetet joshumicë të ndihen të sigurta, të mirëpritura dhe të dëshirojnë të jenë pjesë e së ardhmes së këtij vendi të mrekullueshëm”, ka përfunduar ai.



