Ambasadori gjerman: E rëndësishme që Radoiçiqi me krejt të përfshirët në Banjskë të përballen me drejtësinë
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka folur për mundësinë që Serbia ta dorëzojë terroristin Millan Radoiçiq në Kosovë, si personi që e ka marrë përgjegjësinë për agresionin në Banjskë, por edhe me kushtëzimin e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe me dorëzimin e tij te drejtësia në Kosovë.
Rudolph është shprehur se për ta është e rëndësishme që të gjithë përgjegjësit e rastit në Banjskë, përfshirë Radoiçiqin të përballen me drejtësinë.
“Nëse më kujtohet mirë, kushtëzimi ishte disi ndryshe, por kjo nuk është thelbësore tani. Ajo që është e rëndësishme për ne, dhe e kemi thënë publikisht, është që të gjithë përgjegjësit për ngjarjet e asaj kohe, përfshirë zotin Radoiçiq, të përballen me drejtësinë. Ai duhet të sillet para drejtësisë. Këtë e kemi kërkuar vazhdimisht dhe është shumë e qartë se kjo është ajo që presim nga autoritetet serbe”, ka thënë Rudolph për “Kosovapress”.
Agresioni në Banjskë të Zveçanit ka ndodhur më 24 shtator të vitit 2023, ku është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa për ngjarjen në prill të këtij viti, disa pjesëtarë të grupit të udhëhequr nga Millan Radoiçiq janë dënuar me burgim të përjetshëm. E përgjegjësinë për organizimin e këtij sulmi terrorist e ka marrë vetë Radojçiqi.



