Hysri Selimi dënohet me 6 vjet burgim për spiunazh për Serbinë

15 qershor 2026 | 10:52

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar Hysri Selimi me gjashtë vjet burgim për akuzat se kishte spiunuar për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë, e njohur si BIA, për më shumë se 15 vjet.

Trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Leon Përlaska e ka shpallur Selimin fajtor për spiunazh gjatë një seance të hënën në mëngjes. Selimi, i cili ka qenë i dënuar më parë në Kosovë për pjesëmarrje në organizata terroriste, nuk ishte i pranishëm në sallë gjatë shpalljes së aktgjykimit.

Ai ka mohuar akuzat për spiunazh dhe ishte deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare në shtator 2025. Selimi ngarkohej se kishte bashkëpunuar me BIA-n serbe nga nëntori i vitit 2009, e deri në kohën e arrestimit më 6 maj 2025.

Ai gjithashtu kishte “udhëtuar në Siri, duke iu bashkuar organizatës terroriste ISIS” në fund të vitit 2015.

Selimi ngarkohej se u kishte dërguar të dhëna zyrtarëve të BIA-së në lidhje me numrin e pjesëmarrjes së shqiptarëve në Shtetin Islamik (IS), organizimin e tyre dhe në cilat pjesë të Sirisë operonin ata. “Ndërsa, pas kthimit në Kosovë, dhe vuajtjes së burgut për pjesëmarrje në organizata terroriste, i njëjti kishte vazhduar të takohej në Serbi me zyrtarët e BIA-së, më konkretisht me Drejtorin për Luftimin e Terrorizmit I.B., dhe të përcjell të dhëna tjera të rëndësishme”, është thënë në aktakuzë.

Ai ishte paguar nga BIA serbe deri në 700 euro në muaj për bartjen e të dhënave, sipas aktakuzës.

Selimi është akuzuar se përmes veprimeve të tij e rrezikoi dhe dëmtoi rëndë rendin juridik kushtetues dhe sigurinë e Kosovës, duke e ndihmuar po ashtu BIA-n serbe të krijojë një narrativë të dëmshme për shtetësinë e Kosovës.

Së voni, autoritetet në Kosovë kanë arrestuar, akuzuar e gjykuar serbë e shqiptarë nën dyshimet se po spiunonin për shërbimet e inteligjencës së Serbisë.

Në prill, gjykata në Prishtinë e kishte dënuar me gjashtë vjet burgim Jellena Gjukanoviqin, punonjësen e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Gjukanoviq ishte dënuar për bartjen e të dhënave tek BIA serbe, akuza të cilat i kishte mohuar. Në Kosovë, spiunazhi përkufizohet si aktivitetet sekret i mbledhjes, transmetimit ose shpërndarjes së informacionit të ndjeshëm në një shtet, organizatë ose grup tjetër. Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi konsiderohet krim i rëndë dhe dënohet me të paktën pesë vjet burgim, nëse i dyshuari shpallet fajtor. Ekspertët kanë thënë se spiunazhi është kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës dhe arrestimet e fundit vetëm sa nxjerrin në pah rrezikun e vazhdueshëm. Sipas tyre, ky aktivitet jo vetëm që destabilizon vendin brendapërbrenda, por dëmton edhe pozitën e tij ndërkombëtare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbrëmjen e kaluar, e ftuar në emisionin “Top Arena” ishte…