AKB-ja: Rritje në letra e varfëri në jetë, qytetarët dhe bizneset nuk jetojnë me statistika

15 qershor 2026 | 12:16

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB)  ka shprehur shqetësimin e saj për gjendjen ekonomike në Kosovë dhe për hendekun gjithnjë e më të madh ndërmjet statistikave zyrtare dhe realitetit që po përjetojnë qytetarët dhe bizneset.

Sipas AKB-së, nëse rritja ekonomike paraqitet vetëm përmes shifrave në raporte, ndërsa qytetarët përballen me rritje të çmimeve, rënie të fuqisë blerëse dhe vështirësi në përballimin e jetesës, atëherë kjo nuk mund të konsiderohet zhvillim i qëndrueshëm ekonomik.

“Bizneset kosovare po përballen me kosto gjithnjë e më të larta të energjisë elektrike, pagave, lëndëve të para, transportit dhe shërbimeve, duke e bërë më të vështirë ruajtjen e konkurrueshmërisë në treg. Në të njëjtën kohë, konsumi i qytetarëve po ngadalësohet, duke reflektuar pasigurinë ekonomike dhe dobësimin e standardit jetësor”, është thënë në reagimin e AKB-së.

AKB-ja ka vlerësuar se zhvillimi ekonomik duhet të matet me mirëqenien e qytetarëve, fuqizimin e sektorit privat, rritjen e eksporteve, investimet produktive dhe hapjen e vendeve të reja të punës, e jo vetëm me tregues statistikorë që nuk reflektohen në jetën e përditshme.

“Raportet e institucioneve ndërkombëtare vazhdojnë ta rendisin Kosovën ndër vendet me të ardhurat më të ulëta në Ballkanin Perëndimor, ndërsa inflacioni dhe kostot e jetesës mbeten ndër shqetësimet kryesore të familjeve dhe komunitetit të biznesit”, është thënë në reagimin e AKB-së.

Në këtë kontekst, AKB-ja ka kërkuar nga institucionet e vendit të fokusohen në politika konkrete ekonomike që mbështesin prodhimin vendor, eksportin, investimet private, uljen e kostove për bizneset dhe rritjen reale të mirëqenies së qytetarëve. “Ekonomia nuk matet me deklarata politike, por me gjendjen financiare të familjeve dhe me aftësinë e bizneseve për të mbijetuar, investuar dhe krijuar vende pune”, shtë thënë në reagimin e AKB-së.

Këto vlerësime janë dhënë gjatë vizitës së afaristit të suksesshëm Shiqeri Emrllahu, i cili vepron në Kosovë dhe Austri në sektorët e teknologjisë informative dhe ndërtimit. Me këtë rast, kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka falënderuar Emrllahu për vizitën, kontributin që po jep në zhvillimin ekonomik të Kosovës, bisedën konstruktive, angazhimin dhe besimin e vazhdueshëm si anëtar i Aleancës Kosovare të Bizneseve.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
NJOFTIM Familja Salihu njofton miqtë, shokët dhe të afërmit se,…