RAPORTI BRITANIK DHE KRIZA E LLOGARIDHËNIES NË HAGË
Ibish Neziri
Përballë kritikave të juristëve britanikë, Dhomat e Specializuara u përgjigjën se personat që pretendojnë shkelje të të drejtave të tyre mund t’i drejtohen Gjykatës Supreme ose Gjykatës Kushtetuese të vetë Speciales. Mirëpo, kur mekanizmat e kontrollit janë pjesë e të njëjtit sistem institucional, shtrohet pyetja themelore: a kemi të bëjmë me mbikëqyrje të pavarur apo me vetëkontroll institucional?
Reagimi i Dhomave të Specializuara ndaj raportit të Komitetit për të Drejtat e Njeriut të Odës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit është shembulli më i mirë i asaj që raporti vetë e vë në pikëpyetje mungesën e llogaridhënies së vërtetë.
Përballë kritikave serioze të ekspertëve britanikë lidhur me paraburgimet shumëvjeçare, kufizimet e komunikimit, mungesën e transparencës dhe çështje të tjera që prekin standardet themelore të një procesi të drejtë, Specialja nuk dha përgjigje për thelbin e shqetësimeve. Ajo u mjaftua me deklarimin se të akuzuarit mund t’i drejtohen Gjykatës Supreme ose Gjykatës Kushtetuese të vetë Dhomave të Specializuara.
Me fjalë të tjera: ne e kontrollojmë vetveten.
Kjo nuk është përgjigje. Kjo është pikërisht arsyeja pse raporti është shkruar.
Nëse një institucion akuzohet se ka probleme serioze strukturore, nuk mund të paraqesë si garanci faktin se brenda të njëjtit institucion ekzistojnë edhe disa zyra apo shkallë të tjera vendimmarrjeje. Kjo nuk është mbikëqyrje e pavarur. Është vetëmbikëqyrje.
Asnjë parim i drejtësisë moderne nuk e pranon një logjikë të tillë. Parimi themelor juridik, i njohur prej shekujsh si nemo judex in causa sua, përcakton se askush nuk mund të jetë gjykatës në çështjen e vet. Për të njëjtën arsye, askush nuk mund të jetë njëkohësisht subjekt i akuzës, hetues, prokuror, gjykatës dhe kontrollor i veprimeve të veta, as të pretendojë se është plotësisht i llogaridhënshëm kur përgjigjet vetëm para vetvetes. Po ta zbatonim këtë logjikë në jetën publike, atëherë do të duhej të shfuqizoheshin parlamentet, gjykatat kushtetuese, ombudsmanët, auditorët dhe të gjitha institucionet e kontrollit. Do të mjaftonte që secili institucion të deklaronte: “Mos u shqetësoni, ne e kontrollojmë vetveten.”
Por pikërisht sepse njerëzit gabojnë dhe institucionet gabojnë, shoqëritë demokratike kanë ndërtuar mekanizma të jashtëm kontrolli.
Problemi nuk është se Dhomat e Specializuara kanë instanca më të larta gjyqësore, por se të gjitha këto instanca janë pjesë e të njëjtit sistem. Gjykata Themelore, Gjykata e Apelit, Gjykata Supreme dhe Gjykata Kushtetuese e Speciales nuk përfaqësojnë mekanizma të ndryshëm kontrolli që burojnë nga qendra të pavarura autoriteti; ato janë hallka të së njëjtës strukturë juridike, të ngritura mbi të njëjtin bazament normativ dhe që veprojnë brenda të njëjtit kuadër institucional. Për këtë arsye, kontrolli i ndërsjellë ndërmjet tyre nuk mund të barazohet me mbikëqyrjen e jashtme dhe të pavarur që kërkon parimi i llogaridhënies. Në thelb, kemi të bëjmë me një sistem që shqyrton vetveten dhe që, në fund, vendos vetë nëse standardet e veta janë respektuar apo jo.
Në çdo shtet demokratik ekzistojnë mekanizma të jashtëm kushtetues ose institucionalë që garantojnë kontrollin e ligjshmërisë dhe llogaridhënies së sistemit gjyqësor. Te Dhomat e Specializuara mungon një mekanizëm i tillë i pavarur dhe i jashtëm.
Dhomat e Specializuara nuk i nënshtrohen Gjykatës Supreme të Kosovës, as Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Ndonëse janë krijuar përmes ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore të miratuara nga Kuvendi i Kosovës, ato nuk i nënshtrohen mekanizmave të zakonshëm të mbikëqyrjes demokratike që karakterizojnë institucionet publike në shtetet demokratike. Në këtë kuptim, qytetarët e Kosovës, në emër të të cilëve pretendohet se po administrohet drejtësia, nuk kanë asnjë mundësi reale për të ushtruar kontroll demokratik mbi funksionimin e këtij institucioni.
Prandaj nuk është rastësi që raporti britanik ngre shqetësime me karakter sistemik dhe jo thjesht vërejtje për gabime individuale. Në thelb, kemi të bëjmë me një strukturë që, në përpjekjen për t’u shkëputur nga ndikimet politike, është shkëputur në masë të madhe edhe nga mekanizmat e zakonshëm të llogaridhënies. Mirëpo, historia e institucioneve juridike dhe politike ka dëshmuar vazhdimisht se pavarësia nuk mund të identifikohet me mungesën e kontrollit. Përkundrazi, sa më i madh të jetë pushteti i një institucioni, aq më e madhe duhet të jetë përgjegjësia e tij ndaj mekanizmave të pavarur mbikëqyrës.
Kjo sepse drejtësia nuk garantohet vetëm nga pavarësia e gjykatësve, por edhe nga ekzistenca e kontrollit efektiv mbi ushtrimin e pushtetit gjyqësor. Një sistem që nuk i nënshtrohet kontrollit të jashtëm rrezikon të rrëshqasë drejt arbitraritetit; një pushtet që nuk jep llogari krijon terren për abuzim; ndërsa një drejtësi që nuk i përgjigjet askujt tjetër përveç vetvetes prodhon pashmangshëm mosbesim tek publiku dhe dyshime mbi legjitimitetin e saj.
Pikërisht për këtë arsye, drejtësia nuk mund të mbështetet vetëm në besimin se një institucion do të kontrollojë vetveten. Një drejtësi që i jep llogari vetëm vetvetes rrezikon të humbasë atributin e saj më të rëndësishëm, besimin publik. Dhe kur drejtësia humbet besimin publik, ajo pushon së qeni vetëm mbrojtëse e së drejtës dhe fillon të perceptohet si një pushtet që qëndron mbi të drejtën.



