Thesari letër KGJK-së dhe Odës së Përmbaruesve: Numër i konsiderueshëm i urdhrave përmbarimorë kanë mbetur pa ekzekutuar, shkak mungesa e buxhetit
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Thesarit, Nysret Koca i është drejtuar me një letër Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Odës së Përmbaruesve Privatë, duke i njoftuar se një numër i konsiderueshëm i urdhrave përmbarimorë kanë mbetur pa u ekzekutuar si shkak i mungesës së buxhetit.
Në letër, Thesari i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Financave, i njofton KGJK-në dhe Odën e Përmbaruesve lidhur me trajtimin e urdhrave përmbarimorë të pranuar në Thesari për ekzekutim ku debitorë janë organizatat buxhetore.
Në letrën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, thuhet se pas shqyrtimit të gjendjes aktuale të ekzekutimit të urdhrave përmbarimorë, këtë vit deri më tani janë proceduar nga Thesari mijëra urdhra gjyqësorë dhe përmbarimorë në vlerë 88.5 milionë euro.
Ndërkaq, theksohet se një numër i konsiderueshëm i lëndëve të pranuara në Thesat mbeten të paekzekutuara për shkak të mungesës së mjeteve të disponueshme buxhetore në organizatat buxhetore (debitori), rrethanë kjo, që sipas tyre është jashtë kompetencave të Thesarit.
“Për rrjedhojë, lëndët e paekzekutuara do të mbeten në procedurë pranë Thesarit dhe do të trajtohen sipas Organizatës përkatëse buxhetore dhe sipas radhës së pranimit, menjëherë pas krijimit të disponueshmërisë buxhetore për realizimin e tyre”, thuhet në letër.
Në fund të letrës, thuhet se Thesari i Kosovës mbetet i përkushtuar për zbatim të ligjshëm, transparent dhe të barabartë të të gjitha urdhrave giyqësore dhe përmbarimore, në pajtim me legjislacionin në fuqi.
Ndryshe, më 12 shtator 2024, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) kishte publikuar raportin me titull “Kostoja e Pagave Jubilare të Papaguara: Raport Analitik mbi Ndikimin Financiar dhe Efikasitetin Gjyqësor të Rasteve Gjyqësore që Lidhen me Pagat Jubilare”. Në këtë raport, është treguar se kostoja financiare vjetore e paguar nga institucionet shtetërore për pagat jubilare arrin shumën deri në 10 milionë euro. Kurse, rekomandimet e raportit kërkonin që Ministria e Financave të ndajë buxhet të nevojshëm për komunat lidhur me pagat jubilare.
Ndërkaq, më 29 shkurt 2024, IKD përmes një komunikate për medie njoftoi se më 23 shkurt 2024 i është drejtuar Minsitrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati me një kërkesë për kthimin e ligjshmërisë dhe zbatimin e drejtë të ligjit në raport me pensionistët e Kosovës, të cilët janë edhe përfitues sipas Ligjit për statusin dhe të drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të UÇK-së, Viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, Viktimave civile dhe Familjarëve të tyre.
IKD e kishte njoftuar Muratin, se vetëm brenda dy muajve të fundit, IKD përmes Qendrës për Ndihmë Juridike Falas ka pranuar mbi 500 kërkesa nga qytetarët e Republikës së Kosovës, si nga komuniteti shqiptar, ashtu edhe nga komunitetet joshumicë, prej të cilave deri më tani janë përgatitur rreth 200 padi, të cilat në bazë të praktikës gjyqësore dhe kornizës ligjore, nuk pritet të vendosen ndryshe, përveçse në favor të qytetarëve të vendit, bazuar kështu në legjislacionin pozitiv dhe vendimet e gjykatave të rregullta që e trajtojnë këtë fushë.
Andaj, IKD kishte kërkuar nga ministri Murati që të ushtrojë kompetencat dhe përgjegjësitë e tij si Ministër dhe pa vonesë të kthejë dhe zbatojë ligjshmërinë përmes nxjerrjes së një akti juridik, përmes së cilit obligon Departamentet e Pensioneve të bëjnë zbatimin e duhur të ligjeve të Republikës së Kosovës, gjegjësisht të shmangin interpretimin e gabuar që po i bëhet legjislacionit aktual.
Më 14 qërshor 2024, IKD në kuadër të “Javës së Ndihmës Juridike Falas”, kishte organizuar tryezë diskutimi me temën “(Mos) Zbatimi i të drejtave të pensionistëve në praktikë dhe ngarkimi i gjyqësorit me lëndë”. Aty u tha se Qendra për Ndihmë Juridike Falas e IKD-së ka depozituar mbi 600 padi për moszbatim të pensionit të dyfishtë.
Tryeza i përfundoi punimet e saj, me konkluzionet që Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve të bëjnë zbatimin e drejtë të ligjit në raport me pensionistët e Kosovës, të cilët janë edhe përfitues të pensioneve sipas ligjeve të tjera të veçanta.
Më 19 shkurt 226, IKD ka dorëzuar zyrtarisht kërkesë drejtuar Kryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu dhe Kryetarëve të Grupeve Parlamentare, për inicimin e debatit parlamentar lidhur me moszbatimin e legjislacionit pozitiv për realizimin e të drejtës në pensionin e moshës, krahas pensionit dhe beneficioneve të përcaktuara me ligjin për kategoritë e dala nga lufta.
IKD kishte theksuar se situata e krijuar me paditë, ka stërngarkuar gjykatat dhe ka prodhuar kosto shtesë për financat publike, përfshirë shpenzimet procedurale, kompensimet retroaktive dhe kamatën ligjore.



