Konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e Qeverisë pas rezultatit zgjedhor të 7 qershorit 2026

17 qershor 2026 | 21:40

Flamur Hyseni – profesor i teorisë së shtetit dhe së drejtës në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës

Pas konstituimit të Kuvendit mund të vazhdohet me hapat e tjerë, mandatimin e kandidatit për kryeministër dhe zgjedhjen e Qeverisë. Kushtetuta nuk lë hapësirë për paqartësi në këtë drejtim.

Mandatimi i kandidatit për kryeministër nuk paraqet pengesë kushtetuese, edhe nëse funksioni i Presidentit të Republikës ushtrohet nga ushtruesi ose ushtruesja e detyrës.

Kryetari ose kryetarja e re e Kuvendit, në cilësinë e ushtruesit të detyrës së Presidentit të Republikës, mund t’i ushtrojë kompetencat kushtetuese të Presidentit, përfshirë edhe kompetencën për të mandatuar kandidatin për kryeministër.

Kjo nuk është vetëm çështje interpretimi. Kosova ka pasur dy situata të ngjashme, në vitin 2011 dhe në vitin 2021. Në të dyja rastet, funksioni i Presidentit është ushtruar nga ushtruesi i detyrës. Në të dyja rastet, ushtruesi i detyrës ka mandatuar kandidatin për kryeministër, pastaj është zgjedhur Qeveria dhe më vonë është zgjedhur Presidenti i Republikës. Ky realitete konfirmon se ushtrimi i përkohshëm i funksionit të Presidentit nuk e ndalon formimin e Qeverisë dhe nuk e bllokon funksionimin e rendit kushtetues.

Sipas nenit 95 të Kushtetutës, pas zgjedhjeve, Presidenti i Republikës i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme për të formuar Qeverinë. Kandidati për kryeministër paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit dhe kërkon miratimin e saj. Qeveria zgjidhet nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Pra, rendi kushtetues është ky: konstituimi i Kuvendit, mandatimi i kandidatit për kryeministër dhe votimi i Qeverisë në Kuvend. Ky është rendi normal në një demokraci parlamentare.

Çështje tjetër është zgjedhja e Presidentit të Republikës. Kushtetuta e lidh këtë proces me afate dhe pasoja të qarta. Sipas nenit 86 dhe nenit 82 të Kushtetutës, Presidenti duhet të zgjidhet brenda gjashtëdhjetë ditësh nga fillimi i procedurës së zgjedhjes. Nëse Presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.

Kjo do të thotë se deputetët kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë kushtetuese dhe politike. Ata nuk mund ta trajtojnë zgjedhjen e Presidentit si çështje të zakonshme taktike. Nëse procedura fillon, ajo duhet të merret seriozisht dhe brenda një afati të arsyeshëm duhet të ketë përpjekje reale për të gjetur një kandidat që mund të marrë mbështetjen e nevojshme.

Për këtë arsye, rezultati zgjedhor duhet të lexohet jo vetëm si mundësi për formimin e Qeverisë, por edhe si përgjegjësi për funksionimin e institucioneve kushtetuese. Kur është në pyetje zgjedhja e Presidentit të Republikës, përgjegjësia nuk i takon vetëm një partie ose një grupi parlamentar. Ajo u takon të gjithë deputetëve dhe të gjitha grupeve parlamentare, sepse zgjedhja e Presidentit kërkon shumicë më të gjerë kushtetuese dhe gatishmëri për marrëveshje politike brenda Kuvendit.

Në fund, rezultati zgjedhor duhet të përkthehet në institucione funksionale, përfshirë edhe zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Kushtetuta e mundëson këtë. Pengesa mund të vijë vetëm nga mungesa e përgjegjësisë kushtetuese dhe politike. Nëse kjo ndodh, atëherë zgjedhjet e parakohshme nuk janë zhvillim i rastësishëm, por pasojë e drejtpërdrejtë e dështimit për ta përmbushur deri në fund përgjegjësinë kushtetuese dhe politike.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër ndaj anëtares…