Cucurella zbulon bisedën me Mourinhon
Marc Cucurella ka folur për herë të parë pas transferimit të tij te Real Madridi, duke zbuluar se një telefonatë nga José Mourinho ka luajtur rol të rëndësishëm në vendimin e tij për t’iu bashkuar klubit madrilen.
Mbrojtësi i majtë 27-vjeçar, i cili u transferua nga Chelsea për rreth 52 milionë funte, ka thënë se trajneri portugez e ka kontaktuar menjëherë dhe i ka shprehur besimin e plotë për të ardhmen e tij në “Santiago Bernabeu”.
“Po, kemi folur. Ai më tha se mezi po pret të punojë me mua, se do të përshtatem shumë mirë dhe se Real Madridi është një klub i madh. Më pas më uroi suksese në Kupën e Botës dhe më tha se do të shihemi në Madrid”, ka deklaruar Cucurella për “El Mundo”.
Pavarësisht se është produkt i akademisë së Barcelonës, “La Masia”, spanjolli ka thënë se nuk kishte asnjë dyshim sapo mori ofertën nga Real Madridi.
“Kisha disa opsione, por kur erdhi oferta e Real Madridit nuk hezitova asnjë moment. Është një mundësi unike. Të luash për Real Madridin është nder dhe jo shumë futbollistë e kanë këtë privilegj”, është shprehur ai.
Cucurella ka pranuar se transferimi mund të mos jetë pritur mirë nga disa tifozë të Barcelonës, por ka theksuar se futbolli është profesion dhe karriera kalon nëpër etapa të ndryshme.
“Kur je fëmijë ëndërron të luash për klubet më të mëdha. Real Madridi është një prej tyre. Është skuadra me më së shumti trofe të Ligës së Kampionëve dhe shpresoj të fitoj tituj dhe të kaloj vite të mrekullueshme aty”, ka shtuar ai.
Mbrojtësi ka zbuluar gjithashtu se negociatat janë mbyllur me shpejtësi të jashtëzakonshme, brenda vetëm dy ditësh, gjë që e ka ndihmuar të përqendrohet te kombëtarja e Spanjës në Botëror.
Ndërkohë, fokusi i tij aktual mbetet te Spanja, e cila e ka nisur turneun me një barazim 0-0 ndaj Kepit të Gjelbër. Cucurella ka pranuar se skuadra nuk ka luajtur në nivelin e pritur, por beson se kampionët e Evropës do të përmirësohen në ndeshjet e ardhshme.
“Nuk ishte rezultati që dëshironim. Bëmë disa gabime dhe nuk ishim aq të saktë sa zakonisht. Megjithatë, kemi kohë për t’u përmirësuar dhe për t’u përgatitur më mirë për sfidat që vijnë”, ka përfunduar ai.



