Veton Tusha transferohet te Celje

18 qershor 2026 | 16:47

Futbollisti nga Kosova, Veton Tusha, ka bërë një hap të rëndësishëm në karrierën e tij, duke u transferuar te klubi slloven NK Celje.

Lajmi është bërë me dije nga vetë klubi, i cili ka njoftuar se 23-vjeçari, që deri së fundmi ishte pjesë e FC Drita, ka nënshkruar kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2029.

Në njoftimin e klubit është thënë se Tusha kishte lënë përshtypje të mira ndaj Celjes në ndeshjet kualifikuese të Ligës së Konferencës, duke u dalluar për shpejtësinë dhe paraqitjet e tij në krah.

“Veton Tusha është një futbollist të cilin e njohëm mirë në fazën eliminatore të Ligës së Konferencës UEFA. Në fanellën e kampionit të Kosovës, ai shkaktoi shumë probleme me shpejtësinë e tij në pozicionin e krahut dhe ishte një nga anëtarët më të rëndësishëm të ekipit që solli trofeun e kampionit kombëtar në Gjilan për herë të dytë radhazi”, është thënë në njoftimin e klubit.

Tusha e ka nisur karrierën e tij futbollistike në Kaçanik, ndërsa më pas kaloi te FK Vardar dhe më vonë në Turqi, ku me Denizlispor ishte bërë golashënues në Superligën lokale në moshën 18-vjeçare.

Më pas ai ishte transferuar në Poloni te Bruk-Bet Termalica Nieciecza, por pa arritur të luajë, duke u rikthyer në Kosovë, ku ka fituar dy tituj kampioni me FC Ballkani.

Pas një periudhe te Dinamo City, ai i ishte bashkuar Dritës, me të cilën ka shënuar 16 gola dhe ka regjistruar gjashtë asistime gjatë dy sezoneve të fundit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kontrollet e kryera gjatë vitit 2025 në Zvicër kanë zbuluar…