FIFA e ‘dëgjon’ Tuchelin, ndryshon procedurën para fillimit të ndeshjes
FIFA ka përditësuar udhëzimet e saj pas ankesës së përzgjedhësit të Anglisë, Thomas Tuchel, i cili kërkoi ndryshimin e procedurave para ndeshjes, duke argumentuar se një moment i veçantë gjatë debutimit të tij në Kupën e Botës u pengua nga pozicionimi i fotografëve.
“Tre Luanët” e nisën në mënyrë ideale fushatën e tyre në Kupën e Botës, pasi golat e Harry Kane (2), Jude Bellingham dhe Marcus Rashford siguruan një fitore 4-2 ndaj Kroacisë.
Me këtë sukses, Tuchel u bë trajneri i parë i huaj që fiton ndeshjen e tij debutuese si përzgjedhës i Anglisë në një turne madhor.
Megjithatë, përzgjedhësi gjerman ka deklaruar se përvoja e tij e parë në Kupën e Botës u zbeh disi para fillimit të ndeshjes.
Teksa lojtarët e Anglisë ishin mbledhur pranë rrethit qendror për interpretimin e himnit kombëtar, fotografët e vendosur përpara tij i bllokuan pamjen dhe nuk e lejuan të shihte futbollistët e tij.
Pamjet televizive treguan një Tuchel të irrituar, i cili u kërkoi fotografëve të largoheshin.
“Jeni shumë afër, djema, shumë afër. Jeni aq afër sa nuk mund të shoh asgjë”, u është drejtuar ai fotografëve në stadiumin “AT&T” në Teksas.
Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, Tuchel ka shprehur hapur pakënaqësinë e tij.
“Po i lutem FIFA-s ta ndryshojë pozicionin e fotografëve gjatë himnit kombëtar, sepse nuk munda ta shihja ekipin tim. Kam pritur për këtë moment. Ishte një moment shumë i veçantë dhe unë qëndroja përballë një muri me rreth 50 fotografë, vetëm gjysmë metri larg. Nuk munda të shihja asnjë lojtar”, ka deklaruar ai.
“Është një përvojë shumë emocionuese. Kur isha i ri dhe fillova karrierën si trajner, ishte tepër e madhe edhe për ta ëndërruar një moment të tillë”, ka shtuar gjermani.
Pas kësaj ankese, FIFA ka vendosur të ndryshojë udhëzimet para ndeshjeve, duke u dhënë trajnerëve mundësinë të pozicionohen në anën e majtë ose të djathtë të fotografëve gjatë ceremonisë së himneve kombëtare.
Ndërkohë, gjatë ndeshjes ndaj Kroacisë, Declan Rice u zëvendësua në minutën e 72-të. Mesfushori anglez u pa duke çaluar teksa po largohej nga fusha, duke ngritur shqetësime për gjendjen e tij fizike.
Pas ndeshjes, Tuchel ka sqaruar situatën e lojtarit të Arsenalit.
“Declan pati disa humbje të pazakonta të topit dhe vura re një shqetësim tek ai. Kur e pyeta, më tregoi se ndiente parehati në pjesën e poshtme të shpinës dhe në pjesën e sipërme të kofshës së pasme. Nuk doja të merrja asnjë rrezik dhe vendosa ta mbroj”, ka thënë ai.
Sipas Tuchelit, zëvendësuesi i tij, Reece James, e përmbushi me sukses detyrën në mesfushë.
“Shpresoj që të mos jetë asgjë serioze. Declan më siguroi pas ndeshjes se është mirë. Ne do të kujdesemi për të, por nuk mendoj se ka arsye për shqetësim të madh”, ka theksuar përzgjedhësi i Anglisë.
Edhe vetë Rice ka deklaruar pas ndeshjes se është “në gjendje perfekte”, megjithëse ka pranuar se prej kohësh po luan me këtë problem fizik.



