Blerta Deliu: Ka vizita që nuk i harron kurrë

19 qershor 2026 | 22:44

“Para pak ditësh, bashkë me Vlorën, ishim në Botushë të Gjakovës për t’i shprehur ngushëllimet familjes së gjeneral Jashar Salihut për humbjen tragjike të djalit, Blerimit.

Shkova me bindjen se do të takoja një familje të mbuluar nga dhimbja. Dhe ashtu ishte. Por, mes lotëve dhe heshtjes, pashë diçka që më preku thellë.

Pashë një nënë që, ndonëse zemrën e kishte të copëtuar, nuk lejonte që të copëtoheshin edhe të tjerët.

Nerxhivanja nuk rrinte në një cep të dhimbjes së saj. Ajo lëvizte nga njëri te tjetri, përqafonte, ngushëllonte, u jepte kurajë nuses, familjarëve dhe çdo njeriu që hynte në atë shtëpi. Sikur ta kishte lënë dhimbjen e vet mënjanë, vetëm që të tjerët të ndiheshin më të fortë.

Aty e kuptova se forca e një gruaje nuk matet me fjalë. Matet me mënyrën se si qëndron në këmbë kur jeta e godet aty ku dhemb më shumë.

Për gjeneral Jashar Salihun kisha dëgjuar prej kohësh si për një burrë të rrallë, trim dhe me dashuri të pashtershme për Kosovën. Por atë ditë kuptova se pranë tij ka qëndruar gjithmonë një grua po aq e madhe.

Një grua që ka rritur fëmijët me dashuri për atdheun, me dinjitet, me besë e me vlera. Një grua që edhe në ditën më të rëndë të jetës së saj vazhdonte të ishte shtylla e familjes.

Përulem me respekt para Nerxhivanes. Zoti i dhëntë forcë asaj dhe gjithë familjes Salihu. Kujtimi për Blerimin qoftë i përjetshëm.”, ka shkruar Blerta Deliu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ismet Sylejmani Pas çlirimit të Qytetit të Gjilanit dhe largimit…