Ekspertët: Inflacioni i lartë po rëndon bizneset e po varfëron qytetarët
Inflacioni i lartë po godet standardin e jetesës dhe po rëndon pozitën e bizneseve në Kosovë, vlerësojnë njohës të ekonomisë, raporton Ekonomia Online.
Sipas tyre, rritja e çmimeve po e ul fuqinë blerëse të qytetarëve, ndërsa mungesa e investimeve prodhuese dhe paqëndrueshmëria politike po pengojnë zhvillimin ekonomik afatgjatë të vendit.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha për Ekonomia Online se alarmet për inflacionin dhe problemet ekonomike po mbesin në hije të krizës politike dhe debatit për pushtetin.
“Shqetësues është fakti që rekomandimet që vijnë, qoftë nga ekspertë vendorë, qoftë nga institucionet ndërkombëtare, që nuk shkojnë në favor të politikës ditore, ato ose heshten, ose kundërshtohen pa argumente. Në këtë drejtim, sa i përket efektit negativ të rritjes së inflacionit në 7.5% në vitin 2026, ne kemi alarmuar që është vërtetë një situatë shqetësuese. E tëra kjo mbetet në hijen e agjendës politike, në hijen e zgjedhjeve maratonike, dhe sot në vend që të punohet për funksionalitet të institucioneve dhe bashkërisht të minimizojmë efektet negative të një inflacioni të tillë, ne ende më tutje kemi debat rreth qeverisë, rreth presidentes, dhe rreth dukurive tjera të cilat po e karakterizojnë Kosovën vitet e fundit”, tha Gërxhaliu.
Ai tha se raportet ndërkombëtare kanë ngritur shqetësime edhe për korrupsionin, punësimet politike dhe lirinë e mediave.
“Nuk është vetëm problemi i inflacionit që ka ardhur si alarm nga Bashkimi Evropian. Kanë qenë raporte të treja që kanë të bëjnë me punësimet politike, me sulmet dhe mungesën e lirisë së mediave, por mbi të gjitha, mbi korrupsionin dhe tenderomaninë që është shndërruar në sëmundje kancerogjene të Kosovës. Prandaj vërtetë është koha kur duhet sa më shpejt, është e mundur Kosova të ketë stabilitet politik. Stabilitet politik i cili është i vështirë të arrihet me këtë mentalitet të politikës, sepse në Kosovë nuk fitohen si duket zgjedhjet për të qeverisur por për të sunduar. Dhe në këtë drejtim besoj që sfidat do të vazhdojnë edhe më tutje, sepse është shumë më tepër një gatishmëri për të neglizhuar këto probleme, sesa për t’u ballafaquar dhe për t’i zgjidhur”, tha ai.
Sipas Gërxhaliut, inflacioni po reflektohet drejtpërdrejt në standardin e jetesës së qytetarëve.
“Dhe çka e bën më të vështirë këtë situatë, ku Kosova e ka dyfishin e shkallës së inflacionit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, e ka dyfishin e inflacionit bazuar në parametrat dhe standardet evropiane, dhe kjo është një goditje e drejtpërdrejtë tek qytetarët. Sepse paga minimale, paga mesatare, por çfarëdo page në Kosovë nuk është fleksibile të reagojë në baza të rritjes së inflacionit. Dhe kjo është një goditje e drejtpërdrejtë në standardin e jetesës së qytetarëve, në rënien e fuqisë blerëse, dhe definitivisht me një thellim të një politike sociale e cila me ndihma nuk mund të shërohet apo të evitohet. Duhet zhvillim ekonomik, duhet sektorit privat t’i kushtohet shumë rëndësi, dhe definitivisht është koha kur ekonomia duhet të depolitizohet”, tha ai.
Edhe eksperti i ekonomisë, Ismet Mulaj, vlerësoi se rritja e inflacionit po i varfëron qytetarët dhe po ndikon negativisht te bizneset.
“Natyrisht kjo i varfëron qytetarët. I varfëron qytetarët, natyrisht i varfëron edhe bizneset, për shkak se qytetarët konsumojnë më pak, blejnë më pak. Ose, qytetarët nuk, nuk investojnë. Përderisa nuk investojnë domethënë, për të gjithë atë kontingjent financiar që e kanë e ruajnë për konsum për shkak si të thuhet, domethënë për shkak se janë nevoja elementare ato, atëherë biznesi dekurajohet. Natyrisht ka biznese sot, investimet më të mëdha që i realizojnë domethënë kosovarët në investime kapitale janë në Shqipëri. Rreth 600 deri 700 milionë euro shqiptarët e Kosovës kanë investuar në Shqipëri”, tha Mulaj.
Ai tha se Kosova duhet të fokusohet në projekte të mëdha zhvillimore që do të nxisnin investimet dhe rritjen ekonomike.
“Investimet kapitale në Kosovë nga shqiptarët e Kosovës janë më të vogla sesa që janë në Shqipëri. Përderisa kemi gjithë këtë kapital që derdhet në vende tjera, pse mos ta derdhim në, në Kosovë? Edhe ato projekte që po, të cilat po diskutohen, për shembull jo kompania Orllati, jo ndërtimi i kapaciteteve të reja energjetike, ende janë projekte në letër si të thuhet. Ende nuk po shohim kurrgjë konkrete. Prandaj do të duhej të fokusohej që 4-5 projekte që janë me interes jetik për Kosovën, këto do ta bënin ndryshimin ekonomik në Kosovë. Nëse tërheqim disa miliarda euro, Kosova do ta përmirësojë bilancin e të bërit biznes domethënë, bilancin tregtar, po ashtu do të ketë një rritje ekonomike jo me, rreth 4% siç e thotë Banka Botërore, po ndoshta 6 apo 7%”, tha Mulaj.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) në prill të vitit 2026, Kosova shënoi nivelin më të lartë të inflacionit në tri vitet e fundit, duke arritur në 7.5 për qind, ndërsa në maj inflacioni u regjistrua në 6.8 për qind. Sipas të dhënave, norma e inflacionit në Kosovë mbetet dukshëm më e lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian, e cila është rreth 3.2 për qind.



