Nga thatësira te përmbytjet: Si po ndryshon klima dhe çfarë do të thotë për bujqësinë e Kosovës?

23 gusht 2026 | 13:26

Temperaturat mesatare në Kosovë janë rritur gjatë dekadës së fundit, ndërsa fermerët po përballen me periudha më të gjata të thatësisë, valë të të nxehtit dhe reshje të shkurtra, por intensive.

Ndryshimet në temperaturë dhe në shpërndarjen e reshjeve po e bëjnë prodhimin bujqësor gjithnjë e më të paparashikueshëm. Ekspertët thonë se fermerët dhe institucionet duhet të përshtaten me këto ndryshime, nga përzgjedhja e kulturave dhe varieteteve deri te mënyra dhe koha e mbjelljes.

Për fermerët, ndryshimi i klimës nuk është vetëm çështje statistikash. Pasojat shihen drejtpërdrejt në ara dhe në të ardhurat e tyre.

“Puna e tre muajve u zhduk për gjysmë ore”

Ilvi Jupa, 64-vjeçar, bujk nga Komuna e Rahovecit, kishte mbjellë rreth gjysmë hektari me pjepër, në fshatin Bërnjak.

Stuhia dhe erërat e forta që nisën në këtë rajon më 21 korrik, si dhe reshjet e dendura të mëngjesit të 27 korrikut, ia përmbytën parcelën dhe ia shkatërruan të gjithë prodhimin.

“Tre muaj, i kemi shikuar për çdo ditë, se a po rriten [pjeprat], a po zhvillohen… Kur u bënë gati, për një gjysmë ore uji e fshiu krejt”, tregon Jupa për Radion Evropa e Lirë.

“Ky produkt ka shkuar dëm, është prishur. Janë kalbur nga poshtë, të gjithë. Tash, asgjë… vera është e humbur”, thotë ai.

Djali i Ilvi Jupajt gjatë përmbytjeve në tokën e tyre.
Djali i Ilvi Jupajt gjatë përmbytjeve në tokën e tyre.

Jupa tregon se vetëm në parcelën me pjepër kishte investuar rreth 4.000 euro dhe synonte të fitonte rreth 7.000 euro.

Për të zbutur humbjet, ai po përpiqet të shesë në mënyrë ambulante shalqirin që kishte mbjellë në një parcelë tjetër, e cila nuk u prek nga përmbytjet.

Ilvi Jupa pranë tezgës ku shet bostan dhe prodhime të tjera bujqësore.
Ilvi Jupa pranë tezgës ku shet bostan dhe prodhime të tjera bujqësore.

Por, edhe ky prodhim u dëmtua pjesërisht nga temperaturat e larta gjatë korrikut.

Sipas Jupës, thatësia e shkaktuar nga temperaturat e larta, por edhe reshjet që vijnë me intensitet të madh, janë bërë më të shpeshta gjatë katër-pesë vjetëve të fundit. Ai thotë se në tre vjetët e fundit prodhimet bujqësore i janë dëmtuar vazhdimisht.

“Klima po ndikon. Tash është më thatësirë. Por, kur bie shi, bie me më shumë hov, dhe i përfshin uji më shumë. Më parë, kurrë nuk e ka përfshirë uji kështu”, thekson Jupa, i cili gjatë gjithë jetës është marrë me kultivimin e produkteve bujqësore.

Ilvi Jupa tregon pjeprat e prishur nga shirat gjatë korrikut.
Ilvi Jupa tregon pjeprat e prishur nga shirat gjatë korrikut.

Dëmet në Rahovec

Autoritetet lokale të Komunës së Rahovecit thonë se dëmet e evidentuara nga kushtet klimatike gjatë vitit 2026 kanë qenë të mëdha.

Behar Thaqi, drejtues i Drejtorisë për Bujqësi në këtë komunë, thotë se që nga fillimi i janarit, reshjet e shumta kanë përmbysur arat e fermerëve dhe kanë dëmtuar të mbjellat.

Behar Thaqi gjatë inspektimeve të dëmeve të shkaktuara nga kushtet atmosferike.
Behar Thaqi gjatë inspektimeve të dëmeve të shkaktuara nga kushtet atmosferike.

Specat, shalqiri, pjepri dhe rrushi, që ishin në fazën e pjekjes, në shumë hektarë u shkatërruan nga përmbytjet, sipas tij. Dëmet e shkaktuara ende janë duke u përllogaritur nga komisionet komunale.

“Sipas vlerësimit të komisionit komunal, kanë qenë rreth 167 mijë euro, vetëm te fermerët”, pohon Thaqi për Radion Evropa e Lirë.

Erërat e forta të 21 korrikut dëmtuan dhjetëra hektarë vreshta.

“Ka pasur vreshta të kultivuara tash e 40 vjet. Janë rrëzuar”, thotë Thaqi, duke treguar se dëmet u shtuan edhe më 27 korrik, pas reshjeve të dendura dhe me intensitet të madh.

Sipas tij, ndikimi i ndryshimeve klimatike po bëhet gjithnjë e më i dukshëm dhe, nëse fermerët nuk marrin ndihmë dhe udhëzime nga shteti, mund të ndryshojë edhe struktura e kulturave që kultivohen në këtë komunë.

“Atëherë do të ndryshojë harta e kulturave bujqësore në Rahovec”, thotë ai.

Thaqi duke treguar dëmet e shkaktuara në një serrë.
Thaqi duke treguar dëmet e shkaktuara në një serrë.

Ndryshimi i temperaturave, reshjeve dhe periudhave të vegjetacionit mund të ndikojë në përshtatshmërinë e kulturave në zona të caktuara të Kosovës.

Temperaturat shumë të ulëta në pranverë, temperaturat e larta dhe thatësira gjatë verës, si dhe reshjet e dendura, në vitet e fundit kanë shkaktuar dëme në zona të ndryshme të Kosovës.

Temperaturat po rriten

Matjet nga viti 2016 deri më 2025 në gjashtë stacione meteorologjike – Ferizaj, Mitrovicë e Jugut, Prishtinë, Junik, Prizren dhe Pejë – tregojnë një rritje mesatare të temperaturës prej 0.55 gradë Celsius.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), temperatura mesatare vjetore në Kosovë ishte 11.87 gradë Celsius në vitin 2016, ndërsa në vitin 2025 ishte 12.42 gradë.

Brenda kësaj dekade, viti më i ftohtë ishte 2016, ndërsa më i ngrohti ishte 2024, me temperaturë mesatare prej 13.18 gradësh.

Besim Aliu, zyrtar për meteorologji në IHMK, thotë për Radion Evropa e Lirë se matjet në gjashtë stacionet meteorologjike tregojnë rritje të ndryshme në rajone të ndryshme të Kosovës.

Sipas tij, gjatë kësaj dekade temperatura mesatare është rritur për 1.06 gradë në Ferizaj, 0.90 gradë në Mitrovicën e Jugut dhe 0.89 gradë në Prishtinë. Në Junik, Prizren dhe Pejë janë shënuar “rritje më të vogla dhe jo statistikisht të sigurta, për shkak se variojnë vit për vit”.

“Në përgjithësi, mesatarja ka lëvizur diku midis gjysmë grade dhe një gradë brenda kësaj dekade. Kjo është në linjë me atë që vërehet edhe në rajonin e Ballkanit, dhe në Evropën Juglindore në përgjithësi”, thekson Aliu.

Për shkak të ndryshimeve klimatike, fermerët kultivojnë kultura bujqësore edhe me serra për të nxjerrë rendimente të kënaqshme.
Për shkak të ndryshimeve klimatike, fermerët kultivojnë kultura bujqësore edhe me serra për të nxjerrë rendimente të kënaqshme.

Sipas tij, vitet shumë të ngrohta janë bërë më të shpeshta – 2023, 2024 dhe 2025 – ndërsa është rritur edhe numri i ditëve me temperatura mbi 35 gradë dhe i netëve tropikale.

Si shembull, ai merr matjet në Klinë dhe Han të Elezit.

“Temperatura maksimale e regjistruar ka shkuar nga 37.6 gradë në vitin 2015, në 40.5 gradë, përkatësisht 42.4 gradë në vitin 2025. Kjo është një shenjë e qartë e rritjes së ditëve e valëve të vapës ekstreme”, thekson Aliu.

Sipas tij, sezoni i ditëve të nxehta tashmë fillon më herët dhe zgjat më shumë sesa një dekadë më parë.

Megjithatë, Aliu thekson se një dekadë është periudhë e shkurtër për të përcaktuar klimën në kuptimin shkencor, pasi Organizata Botërore e Meteorologjisë përdor norma 30-vjeçare.

Por, sipas tij, sinjalet e rritjes së temperaturave janë të qarta. Nëse trendi vazhdon me të njëjtin ritëm, “brenda 20–30 vjetëve të ardhshëm Kosova mund të përjetojë rritje mesatare të temperaturës prej 1.5 deri në 2 gradë, krahasuar me periudhën 2015–2018”.

Për reshjet, megjithatë, të dhënat e dekadës së fundit nuk japin një trend afatgjatë statistikisht të sigurt, pasi ato ndryshojnë ndjeshëm nga viti në vit.

Viti 2025 shënoi kushte dukshëm më të thata, veçanërisht gjatë verës.

Megjithatë, sipas Aliut, “vërehet një shpërndarje gjithnjë e më e pabarabartë e reshjeve, me periudha të gjata pa reshje të ndërprera nga episode të shkurtra me intensitet të lartë”.

Ndikimi në bujqësi

Në Rahovec, Thaqi vlerëson se ndikimi i rritjes së temperaturave në bujqësi është i pashmangshëm.

Një nga pasojat mund të jetë ndryshimi i periudhave të vegjetacionit.

“Fillimi më i hershëm i pranverës mund të zgjasë sezonin e mbjelljes, por rrit edhe rrezikun e ngricave të vona, kur bimët lulëzojnë më herët, por ngrica ende mund të vijë”, thotë ai.

Gjatë verës, sipas tij, mund të shfaqet “stresi termik”, me valë vape që janë të rrezikshme për kulturat e ndjeshme, si misri, perimet dhe pemët frutore, veçanërisht gjatë fazave kritike të lulëzimit dhe mbushjes së kokrrës.

Në prill të këtij viti, në Prishtinë, u mblodhën agjencitë dhe ekspertët e Kombeve të Bashkuara, bashkë me përfaqësues të organizatave joqeveritare vendëse dhe ndërkombëtare, për të analizuar rreziqet aktuale dhe të parashikuara klimatike që ndikojnë në bujqësi.

Në një raport të publikuar nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara (FAO) në maj, thuhet se ndikimet klimatike në Kosovë shihen përmes rënies së rendimenteve të të korrave, rritjes së stresit mbi bagëtinë dhe dëmtimit të të korrave dhe infrastrukturës nga ngjarjet më të shpeshta dhe intensive klimatike.

Imer Rusinovci, profesor i bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se ndryshimet klimatike dhe moti i paparashikueshëm po prekin si kulturat e mbjella në vjeshtë, ashtu edhe ato të mbjella në pranverë.

“Gjithmonë i kemi në rrezik kulturat bujqësore, që mbillen në vjeshtë, nga reshjet intensive dhe vërshimet e papritura. Edhe kulturat pranverore po ashtu sulmohen, posaçërisht nga thatësia e madhe”, tregon Rusinovci për Radion Evropa e Lirë.

Imer Rusinovci gjatë bisedës me Radion Evropa e Lirë.
Imer Rusinovci gjatë bisedës me Radion Evropa e Lirë.

Kulturat që mbillen në vjeshtë përfshijnë grurin, elbin, thekrën, tërshërën dhe përzierjet foragjere, ndërsa në pranverë mbillen misri, patatja, fasulja, luledielli, soja dhe shumica e perimeve, si specat, domatet e trangujt, si dhe shalqiri, pjepri e kungulli.

Sipas Rusinovcit, fermerët duhet t’i përshtatin kulturat dhe varietetet me kushtet klimatike dhe lartësinë mbidetare.

Në lartësitë mbi 700 metra mbi nivelin e detit, temperaturat janë më të ulëta dhe vegjetacioni i të mbjellave mund të vonohet për rreth një muaj, ndërsa në rajonet më të ulëta rritet rreziku nga thatësira.

“Duhet të rekomandohen hibridet që janë më të hershme, dhe që kanë periudhë vegjetative më të shkurtër [në lartësitë mbidetare mbi 700 metra]. Ndërkaq, në rrethanat e thatësisë [në rajonet më të ulëta], duhet rekomanduar hibridet që janë më të rezistueshme”, thotë ai.

Ndryshimet në temperaturë ndikojnë edhe në kohën se kur bujqit mbjellin dhe korrin produktet e tyre.
Ndryshimet në temperaturë ndikojnë edhe në kohën se kur bujqit mbjellin dhe korrin produktet e tyre.

Lartësia mesatare mbidetare e Kosovës, sipas të dhënave që përdor Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, është rreth 800 metra. Pika më e ulët është rreth 300 metra, ndërsa më e larta 2.656 metra.

Ndryshimet në temperaturë dhe mot mund të ndikojnë edhe në kalendarin e mbjelljeve dhe korrjeve.

“Për shembull, afati optimal agroteknik i mbjelljes së grurit në Kosovë është tetori. Nëse ka paralajmërim se ka çrregullime moti, thatësi… mbjellja mund të bëhet deri më 10 nëntor. Por, te mbjelljet e vonuara, për shkak të ndryshimeve klimatike, duhet shtuar 5 deri 10 për qind repromaterial [fare dhe pleh] më shumë se zakonshëm”, sqaron ai.

Rusinovci thotë se fermerëve duhet t’u ofrohet një strukturë më e llojllojshme e kulturave bujqësore.

“Ato që janë më rezistente ndaj luhatjes së temperaturave duhet t’i avancojmë, ndërkaq ato që nuk janë t’i eliminojmë”, thekson ai.

Përshtatja po bëhet e domosdoshme

AgroDev, organizatë që merret me zhvillimin e bujqësisë në Kosovë, vlerëson se diversifikimi i kulturave është i domosdoshëm dhe se ky proces tashmë ka nisur.

Drejtori i përgjithshëm i saj, Fatmir Selimi, thotë se në Kosovë vazhdojnë të kultivohen kulturat tradicionale, si gruri, misri, mollët, kumbullat, speci, domatja dhe të tjera. Sipas tij, varietetet e reja të tyre kanë rritur rendimentin.

Por, ndryshimet klimatike kanë bërë që të provohen edhe kultura që disa dekada më parë nuk janë kultivuar në Kosovë.

“Për shkak të ndryshimeve klimatike, dikush mund t’i nxjerrë dy të korrura. Kemi provuar tash kultura të reja, si mjedra, boronica, shafrani, varietete të ndryshme të sallatave, si dhe ushqime të tjera, që fermerët po i kultivojnë edhe me serra. Aty po arrijnë rendimente të kënaqshme”, tregon Selimi për Radion Evropa e Lirë.

Fatmir Selimi.
Fatmir Selimi.

Sipas tij, fermerët nuk duhet vetëm të shqetësohen për ndryshimet klimatike, por të përgatiten për to.

“Duhet të përgatitemi dhe të ballafaqohemi me këto ndryshime klimatike. Së pari, duhet të dimë vet të ballafaqohemi, e pastaj t’i drejtohemi shtetit për ndihma. Roli ynë, si ekspertë, është që t’u tregojmë fermerëve se cilat janë praktikat më të mira për t’iu përshtatur kushteve klimatike”, thotë Selimi.

Ai kujton raste kur fermerët kanë hezituar të mbjellin kultura të reja.

“Për shembull, nga 80 kultura bujqësore që kanë potencial të zhvillohen në Kosovë, në Rahovec ne planifikonim kultivimin e kivit. Ka shumë potencial që të bëhet në pjesën jugore të Kosovës – në Rahovec, Suharekë e Prizren. Por, nuk kemi gjetur njerëz që ta bëjnë kultivimin e tij”, thotë Selimi.

Toka e mbjellë me pjepra në Rahovec. Prodhimi u dëmtua si pasojë e stuhive të erës dhe rreshjeve të shiut.
Toka e mbjellë me pjepra në Rahovec. Prodhimi u dëmtua si pasojë e stuhive të erës dhe rreshjeve të shiut.

Sipas tij, institucionet përgjegjëse dhe organizatat që promovojnë bujqësinë e qëndrueshme duhet t’u ofrojnë fermerëve pilot-projekte, përmes të cilave ata mund të shohin në praktikë nëse kultura të caktuara mund të jenë të leverdishme.

“Kur të shohin se kanë sukses, atëherë i nxit fermerët që t’i kultivojnë ato kultura, dhe t’u përshtaten kushteve klimatike”, thotë Selimi.

Megjithatë, për t’u përballur me ndryshimet e mundshme në strukturën e kulturave bujqësore, sipas tij, nevojitet një “strategji e mirëfilltë” nga institucionet qeveritare.

Selimi i sheh si të pamjaftueshme dhe joadekuate dokumentet aktuale të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përfshirë Strategjinë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2022–2028, në të cilën është përfshirë edhe përshtatja e bujqësisë ndaj ndryshimeve klimatike.

Ministria nuk i është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për objektivat konkrete që synohen në dhjetëvjeçarin e ardhshëm në raport me ndryshimet klimatike, për buxhetin aktual të dedikuar për përshtatjen ndaj tyre, si dhe për ndryshimin e mundshëm të hartës dhe strukturës së kulturave bujqësore në vend.

Kjo lë të hapur një nga pyetjet kryesore për bujqësinë e Kosovës: ndërsa fermerët tashmë po përballen me ndryshime në temperaturë, thatësira dhe episode të reshjeve intensive, sa të përgatitura janë institucionet për t’i ndihmuar ata të përshtaten?

Për bujkun Jupa, përgjigjja është ende e pasigurt.

Ilvi Jupa thotë se investoi 4 mijë euro në mbjelljen e pjeprave. Por, i gjithë prodhimi iu prish nga kushtet atmosferike.
Ilvi Jupa thotë se investoi 4 mijë euro në mbjelljen e pjeprave. Por, i gjithë prodhimi iu prish nga kushtet atmosferike.

Javë pasi reshjet e rrëmbyeshme ia shkatërruan prodhimin, ai thotë se nuk do të mbjellë më pjepër.

“Tjetër gjë këtu nuk bëhet. Nuk guxoj më të mbjell këtu, sepse uji po m’i prish. Asgjë, vetëm ta lë si lëndinë”, thotë ai.

“Me çka të jetoj? Zoti e bëftë zgjidhjen”, shprehet Jupa. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
E ardhmja e Alejandro Baldes te Barcelona po bëhet gjithnjë…