Arrestohet në Sarandë i shumëkërkuari, dërgohet në vuajtje të dënimit
Policia e Shqipërisë ka arrestuar në Sarandë një shtetas të shumëkërkuar dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i cili ishte në kërkim për vepra të rënda penale.
Sipas njoftimit zyrtar, operacioni është zhvilluar nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit, në kuadër të operacionit të koduar “Fast”.
I dyshuari është lokalizuar në zonën e Ksamilit, brenda një automjeti tip “Audi”, ku më pas është kapur dhe arrestuar nga forcat e rendit, pavarësisht tentativës për t’u larguar.
Autoritetet bëjnë të ditur se ai ishte shpallur në kërkim në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila e ka dënuar me 4 vjet burgim për veprat penale “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.
Sipas vendimit gjyqësor, të arrestuarit i kanë mbetur për të vuajtur edhe 2 vjet, 9 muaj dhe 9 ditë burgim.
Policia ka bërë të ditur se operacionet për kapjen e personave në kërkim do të vazhdojnë në të gjithë territorin e vendit.



