Zafir Berisha akuzon degën e PDK-së në Prizren: “Sllogani i fshehtë ishte: Votoni kë të doni, vetëm Nait Hasanin jo”

22 qershor 2026 | 09:07

Ish-luftëtari i UÇK-së, ish-deputeti dhe veprimtari i çështjes kombëtare, Zafir Berisha nga Prizreni, ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, duke pretenduar se brenda Degës së PDK-së në Prizren është zhvilluar një kundërfushatë kundër kandidatit për deputet, Nait Hasani.

Sipas Berishës, gjatë fushatës zgjedhore, zyrtarë dhe struktura të caktuara të PDK-së në Prizren kanë bërë thirrje për votimin e kandidatëve të partisë, por jo të Nait Hasanit.

Postimi i plotë i Zafir Berishës:

“Votoni kë të doni, vetëm Nait Hasanin jo”, ishte sllogani i pashpallur i disa ‘patriotëve’ brenda Degës së PDK-së në Prizren, të cilët Naitin dhe shumë të tjerë vazhdojnë t’i shohin me të njëjtat syze që i sheh edhe Albin Kurti dhe njerëzit rreth tij.

Naiti nuk mbeti jashtë Kuvendit për mungesë votash apo mbështetjeje qytetare. Ai mbeti jashtë për shkak të kundërfushatës së organizuar brenda elektoratit të PDK-së, veçanërisht në Prizren, ku energji të tëra u shpenzuan jo për të siguruar më shumë vota për partinë, por për të penguar kandidatë të caktuar.

Kjo legjislaturë do ta ndiejë mungesën e Nait Hasanit dhe të njerëzve me biografi e sakrificë si e tija. Në vend të tyre, në ulëset e Kuvendit do të ulen pasardhës politikë e ideologjikë të atyre që dikur e burgosën Naitin disa herë, sepse ai ua prishte rehatinë dhe harmoninë e ‘vëllazërim-bashkimit’ jugosllav.

Historia shpesh ka ironi të hidhura. Ata që sakrifikuan më së shumti për lirinë e Kosovës, shpesh e kanë më të vështirë të gjejnë mbështetje brenda shtëpisë së tyre politike sesa përballë kundërshtarëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtarja botërore Madonna ka ndarë kujtime nga vitet e saj…