Flamingot, shqiponjat dhe hipokrizia jonë e përditshme
Isuf Sherifi
Simbolin tonë kombëtar, shqiponjën, e kemi ngrënë, e kemi vrarë dhe e kemi shtyrë drejt zhdukjes, ndërsa për vite me radhë askush nuk bëri zë. Nuk pamë revolta publike, nuk pamë valë indinjate kolektive, nuk pamë fushata të mëdha ndërgjegjësimi. Heshtëm. Siç heshtim shpesh për shumë gjëra që ndodhin para syve tanë.
Pastaj erdhën flamingot.
Mjaftoi që ato të preken, të shqetësohen apo të largohen, dhe papritur u mbushëm me dashuri për natyrën. Rrjetet sociale u mbushën me zemërim, deklarata, thirrje dhe moralizime. Brenda natës u shndërruam në mbrojtës të mjedisit, në avokatë të biodiversitetit dhe në rojtarë të ndërgjegjes ekologjike.
Rrofshin flamingot!
Por problemi nuk qëndron te flamingot. Ato meritojnë të mbrohen po aq sa çdo krijesë tjetër. Problemi qëndron te ne dhe te aftësia jonë e jashtëzakonshme për t’u emocionuar nga simbolet, ndërsa shpërfillim realitetin. Ne dimë të protestojmë për një ngjarje që na tërheq vëmendjen për disa ditë, por shumë më rrallë jemi të gatshëm të ndryshojmë sjelljet tona të përditshme.
Sepse edhe pas këtij “revolucioni”, nesër në mëngjes dikush do të hedhë lëvozhgën e bananes nga dritarja e veturës në lëvizje. Dikush tjetër do të flakë qesen me mbeturina nga ballkoni, sikur rruga të ishte deponi private. Trotuaret do të vazhdojnë të mbushen me vetura të parkuara pa pikën e turpit, ndërsa këmbësorët do të detyrohen të ecin në asfalt. Do të vazhdojmë të shohim xhipa luksozë që bredhin qyteteve tona si simbole të një statusi të rremë, të shoqëruar nga truproje karagjozë që përpiqen t’i japin rëndësi një rëndësie që nuk ekziston.
Dhe ndërkohë do të vazhdojmë të flasim për qytetërim.
Ky është paradoksi ynë. Kërkojmë shtet funksional, por nuk respektojmë hapësirën publike. Kërkojmë institucione të forta, por e trajtojmë ligjin si sugjerim. Kërkojmë mjedis të pastër, por ndotjen e fillojmë nga vetja. Kërkojmë përgjegjësi nga të tjerët, por rrallëherë e kërkojmë nga vetja.
Ndoshta pikërisht për këtë arsye flamingot janë bërë kaq të rëndësishme. Jo sepse ato janë problemi më i madh i shoqërisë sonë, por sepse na japin mundësinë të ndihemi të moralshëm pa ndryshuar asgjë në jetën tonë. Është shumë më e lehtë të zemërohesh për një ngjarje të veçantë sesa të pranosh se kultura e mosrespektimit, e papërgjegjshmërisë dhe e indiferencës fillon nga veprimet tona më të vogla.
Në fund të fundit, natyra nuk mbrohet me statuse në internet. Nuk mbrohet me zemërim selektiv. Nuk mbrohet me patriotizëm sezonal. Ajo mbrohet me sjellje të përditshme, me respekt për ligjin, me kulturë qytetare dhe me institucione që funksionojnë.
Dhe në fund të ditës, gjithçka do të peshohet në kutitë e votimit. Atje do të maten jo vetëm premtimet e politikanëve, por edhe pjekuria jonë si qytetarë. Atë ditë nuk do të ketë rëndësi se sa flamurë kemi valëvitur apo sa postime kemi shpërndarë. Do të ketë rëndësi se çfarë kemi zgjedhur të tolerojmë dhe çfarë kemi zgjedhur të ndryshojmë.
Atëherë, si flamingot ashtu edhe shqiponjat do të zbresin nga fluturimi. Do të përballen me tokën. Dhe bashkë me to do të përballemi edhe ne, me pasqyrën e vetes sonë dhe me peshën e votës sonë.



