Mac Allister: Messi është i papërsëritshëm
Mesfushori i Argjentinës, Alexis Mac Allister, ka folur me admirim për kapitenin e kombëtares, Lionel Messi, duke theksuar se është pothuajse e pamundur të mësosh nga magjia e tij në fushë, pasi askush nuk mund të përsërisë atë që bën legjenda argjentinase.
Pas fitores 3:0 ndaj Algjerisë në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës, ku Messi realizoi një tjetër “hat-trick”, Mac Allister u pyet për ndikimin e yllit të Inter Miamit te kampionët në fuqi të botës.
“Më pëlqen shumë të luaj pranë Leos. Nuk do të ketë më një tjetër si ai. Kur e sheh nga afër, e kupton se gjërat që bën nuk janë normale. Është shumë e vështirë të mësosh nga ajo që ai bën, sepse mund ta imagjinosh në mendje, por nuk mund ta realizosh në të njëjtën mënyrë”, ka deklaruar mesfushori i Liverpoolit.
Sipas tij, mësimi më i madh që mund të merret nga Messi nuk lidhet me futbollin, por me karakterin e tij.
“Ajo që mësoj prej tij janë vlerat dhe përulësia që ka, pavarësisht se kush është dhe çfarë ka arritur”, ka theksuar ai.
Mac Allister pati rol të rëndësishëm edhe në golat e Argjentinës kundër Algjerisë, ndërsa zbuloi se në aksionin e golit të parë e la topin të kalonte me vetëdije, pasi e dinte se pas tij ndodhej Messi.
Mbrëmja ishte historike për tetë herë fituesin e Topit të Artë. Përveç “hat-trickut”, Messi barazoi rekordin e Miroslav Klose për numrin më të madh të fitoreve në historinë e Kupës së Botës, me 17 suksese, ndërsa po ashtu po zhvillon Botërorin e tij të gjashtë.
Tashmë, vëmendja e Argjentinës është përqendruar te ndeshja e radhës ndaj Austrisë. Mac Allister paralajmëroi se kampionët e botës nuk duhet të nënvlerësojnë asnjë kundërshtar.
“Ne jemi një grup që gjithmonë kërkon më shumë. Qëllimi ynë është vetëm fitorja. E dimë entuziazmin që sjell një Kupë Bote dhe duam të japim më të mirën në çdo ndeshje”, ka përfunduar ai.



