Dënohet me katër vjet burgim dhe 20 mijë euro gjobë i akuzuari për trafikim të narkotikëve
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Bashkim Kolshit, duke e dënuar me katër vjet burgim dhe 20 mijë euro gjobë për veprat që lidhen me narkotikët. Ai akuzohej për transportimin e 180 kilogramëve kokainë.
Aktgjykimi u shpall të hënën nga kryetari i trupit gjykues, Lutfi Shala, së bashku me anëtarët Vesel Ismaili dhe Kujtim Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas gjykatësit Shala, Kolshi u shpall fajtor për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotropike dhe analoge” dhe u dënua me katër vjet burgim si dhe 20 mijë euro gjobë. Ndërkaq, ai u lirua nga akuza për veprën penale “Shpëlarja e parave”.
Në dënimin me burgim do të llogaritet edhe koha që i akuzuari ka kaluar në paraburgim dhe në arrest shtëpiak.
Në seancën e shpalljes së aktgjykimit nuk ishin të pranishëm as i akuzuari Bashkim Kolshi dhe as prokurori Kastriot Mema. I pranishëm ishte vetëm mbrojtësi i tij, avokati Kadri Mjekiqi.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Kolshit më 3 maj 2023, duke e akuzuar për transportim të narkotikëve të llojit kokainë dhe për shpëlarje parash.
Sipas aktakuzës, kontrabandimi i narkotikëve ishte kryer përmes dhjetë dërgesave të ndara gjatë periudhës prill-qershor 2019.



