Dy ankesa në PZAP, KQZ-ja në pritje të vendimeve për shpalljen e rezultateve përfundimtare
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) po pret përfundimin e procedurave ankimore para se të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se shpallja e rezultateve varet nga shqyrtimi i ankesave dhe vendimet që do të merren nga institucionet përgjegjëse.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave dhe vendimmarrjes së institucioneve përkatëse para se të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Pas marrjes së këtyre vendimeve, mbetet të shihet nëse ato përmbajnë obligime konkrete për KQZ-në”, ka deklaruar Elezi.
Dy ankesa që lidhen me procesin e rinumërimit janë dorëzuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ndërsa afati 48-orësh për paraqitjen e tyre ka përfunduar të dielën në mesditë.
Tashmë, PZAP-ja ka afat prej tri ditësh për të shqyrtuar dhe vendosur lidhur me këto ankesa.
Të dyja ankesat janë paraqitur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Njëra është dorëzuar të premten, ndërsa tjetra të shtunën.



