Gazi amerikan, Kryeziu: Asnjë qeveri nuk duhet të marrë e vetme vendime që përcaktojnë orientimin strategjik të Kosovës
Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka komentuar refuzimin e projektit amerikan të gazit nga qeveria, duke vlerësuar se vendime të tilla me ndikim afatgjatë nuk duhet të merren vetëm nga një qeveri.
Ai ka theksuar se asnjë ekzekutiv nuk duhet të përcaktojë i vetëm orientimin energjetik, ekonomik dhe strategjik të Kosovës për dekada.
Kryeziu ka shkruar në “Facebook” se një investim strategjik në sektorin e gazit nga kompani amerikane nuk paraqet vetëm një projekt ekonomik, por lidhet edhe me sigurinë energjetike dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Pavarësisht legjitimitetit që buron nga vota, asnjë qeveri nuk duhet të marrë e vetme vendime që mund të përcaktojnë orientimin energjetik, ekonomik dhe strategjik të vendit për dekada. Investimi strategjik në sektorin e gazit nga kompani amerikane nuk është thjesht një projekt ekonomik. Ai prek sigurinë energjetike të Kosovës, zhvillimin afatgjatë ekonomik, sigurinë kombëtare, përfshirjen e vendit në iniciativa rajonale dhe partneritetin strategjik me SHBA-në”, ka shkruar Kryeziu.
Sipas tij, për shkak të rëndësisë së një vendimi të tillë, procesi duhet të shoqërohet me debat të gjerë publik, transparencë dhe përfshirjen e ekspertëve, komunitetit të biznesit, shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë relevantë.
“Një vendim i tillë nuk duhet të kalojë pa debat të gjerë publik, pa transparencë të plotë dhe pa përfshirjen e komunitetit të biznesit, ekspertëve të fushës, shoqërisë civile, partive politike dhe aktorëve të tjerë relevantë”, ka shkruar Kryeziu.



