Pacolli kërkon hetim nga SPAK: Aeroporti i Vlorës u uzurpua nga grupe kriminale për 10 muaj
Biznesmeni Behgjet Pacolli ka bërë thirrje publike që SPAK-u në Shqipëri të nisë hetime të menjëhershme dhe të plota lidhur me situatën në Aeroportin e Vlorës, duke pretenduar se projekti është përballur me bllokadë të paligjshme, vandalizëm dhe dëmtime të mëdha materiale.
Përmes një postimi në “Facebook”, Pacolli tha se kompania MABCO dhe nënkontraktorët e saj janë rikthyer në kantier pas muajsh bllokade, në përputhje me vendimet gjyqësore, ndërsa aktualisht po bëhet verifikimi i dëmeve të shkaktuara gjatë kësaj periudhe.
Sipas tij, dëmet përfshijnë inventarin e aeroportit, pajisje të specializuara, instrumente pune dhe prona të kompanive nënkontraktuese.
Pacolli pretendon se për më shumë se dhjetë muaj, terminali i Aeroportit të Vlorës është uzurpuar nga grupe kriminale, të cilat, sipas tij, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin dhe kanë dëmtuar rëndë sigurinë juridike dhe investimet.



