BISLIMI: PO, JAM ME EDI RAMËN
Shkruan: Labinot Bislimi

Jemi të shumtë që e kemi kuptuar se këto protesta të organizuara nga “askush”, në fakt janë të organizuara nga “shumëkush”. Janë të organizuara dhe të financuara fuqishëm – jo kundër Edi Ramës – por kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Njëri prej qëllimeve të organizatorëve dhe financuesve të protestës është edhe krijimi i një atmosfere impresionimi, frikësimi dhe intimidimi ndaj atyre që guxojnë të mendojnë ndryshe. Që të tjerët të mos guxojnë të deklarohen publikisht në mbështetje të qeverisë legale dhe legjitime të Edi Ramës.
Qasja e tyre agresive dhe kategorike në çdo debat e tradhton më së miri këtë qëllim. Tek ta nuk kanë rëndësi argumenti, fakti, të dhënat, logjika apo e vërteta. Dëgjoni çfarë thonë, nga i pari tek i fundit: Rama në burg sepse po e shet Shqipërinë. Nuk kemi drita, trotuare e ujë. Njerëzit po ikin. Mjaft më me këto 36 vjet. Duam një Shqipëri të re. Duam barazi ekonomike. Duam dorëheqjen e Ramës.
Po t’i dëgjosh me pak vëmendje organizatorët dhe protestuesit, të kap sikleti. Duket sikur janë bërë të gjithë bashkë për ta rrëzuar qeverinë, por nuk e dinë as vetë pse. Ose më saktë, nuk arrijnë ta shpjegojnë me argumente bindëse.
Sepse kur thotë dikush se nuk ka drita, trotuare apo ujë, pyetja e parë që të vjen në mendje është: në cilin vend jeton ky? Dikush që nuk ka qenë kurrë në Shqipëri mund të hamendësojë se ashtu është. Por jo kushdo që e njeh sadopak realitetin.
Po si nuk paska drita, kur Shqipëria sot prodhon më shumë energji elektrike sesa konsumon (1.5-2.0 herë) dhe ka ndër tarifat më konkurruese në rajon?
Si nuk paskan investime urbane, kur mjafton të krahasosh qytetet e sotme me ato të para 10 apo 15 viteve? Nuk po them se gjithçka është perfekte, por të mohosh transformimin është të mohosh atë që e sheh syri.
Si nuk paska investime në ujësjellës, kur në të gjithë territorin e vendit po investohet në burime, rrjete dhe sisteme furnizimi?
Si qenkan rritur çmimet më shumë se kudo tjetër, kur Shqipëria vazhdon të ketë një nga nivelet më të ulëta të inflacionit në Evropë?
Si nuk paska zhvillim ekonomik, kur GDP-ja për frymë është rritur ndjeshëm dhe ekonomia shqiptare është sot dukshëm më e madhe sesa ishte një dekadë më parë?
Si nuk paska luftë kundër korrupsionit, kur për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar po shohim ministra, deputetë, kryetarë bashkish dhe ish-zyrtarë të lartë para drejtësisë?
Si nuk paska avancim ndërkombëtar, kur Shqipëria ka hapur negociatat me Bashkimin Evropian dhe sot gëzon reputacion më të madh se kurrë në arenën ndërkombëtare?
Si nuk paska përparim, kur Shqipëria pret mbi 12 milionë turistë në vit, ndërsa aeroportet e saj po përjetojnë rritje rekord të fluksit?
Si nuk paska investime kapitale, kur e gjithë Shqipëria është kthyer në një kantier pune, me rrugë, aeroporte, porte, shkolla, spitale dhe projekte infrastrukturore në çdo anë?
Po, njerëzit kanë emigruar. Por të thuash se çdo largim është arratisje nga mjerimi është një mashtrim po aq i madh sa të thuash se çdo emigrant është i pasur. Sot shumë shqiptarë lëvizin sepse kanë më shumë mundësi, më shumë ambicie dhe më shumë kontakte me botën. Shumë prej tyre investojnë, kthehen ose mbajnë lidhje të forta me vendin.
Si e paska shkatërruar mjedisin Edi Rama, kur Shqipëria ka sot më shumë zona të mbrojtura dhe standarde mjedisore sesa kishte më parë?
Si paska bërë ndërtime pa leje Edi Rama, kur ai e gjeti Shqipërinë të mbushur me ndërtime pa leje dhe ndërmori aksione duke rrënuar nga objektet e larta e deri tek shtesat mbi hapësirën publike. Të kujt ishin ato ? Tuajat.
Dhe mbi të gjitha: si e paska shitur Shqipërinë?
Kujt?
Kur?
Si?
Ku janë faktet?
Sepse nuk mjafton ta përsërisësh një gënjeshtër një mijë herë që ajo të bëhet e vërtetë.
Mund ta kuptoj çdo kritikë serioze. Mund ta kuptoj çdo kërkesë që zhvillimi ekonomik të shkojë paralelisht me mbrojtjen e mjedisit, të trashëgimisë kulturore dhe të interesit publik. Këto janë debate të nevojshme.
Por nuk mund të kuptoj propagandën që paraqet Shqipërinë si një vend pa shpresë, pikërisht në momentin kur ajo po përjeton transformimin më të madh të dekadave të fundit.
Në fund të fundit, kë po mendoni se do të impresiononi, frikësoni apo intimidoni?
Ne që kemi në anën tonë faktet, argumentin, logjikën, punën, por edhe vullnetin, guximin dhe dashurinë për Shqipërinë?
Do të donit ta merrnit pushtetin ju?
Ti Osman. Ti Elena. Ti Neomalsore. Ti Arlind. Ti Elvis. Ti Hysamedin.
Apo ti që nuk proteston në Prishtinë, por shkon në Tiranë. Që nuk proteston aty ku inflacioni është më i larti në Evropë dhe ku blihen 900 milion Euro energji nga Serbia dhe të faturohet 200% më shtrenjtë tani se 5 vite më parë.
Apo ti që vjen nga Shkupi dhe Tetova, aty ku të është ndaluar gjuha shqipe dhe të janë ndryshuar emërat e rrugëve të lagjës.
Ju që flisni sikur e keni zgjidhjen për çdo problem, por që rrallëherë keni dëshmuar se mund të menaxhoni me sukses edhe përgjegjësitë tuaja.
Më vjen keq, por sa më shumë ju dëgjoj, aq më shumë bindem se sot jam me Edi Ramën.
Dhe po, nëse duhet të zgjedh mes një Shqipërie që ndërton, investon dhe ecën përpara me të gjitha mangësitë e saj, dhe një Shqipërie të mbushur me urrejtje, paranojë, teori konspirative dhe dëshirë për rrënim, zgjedhja ime është e qartë.
Vetëm kur e imagjinoj Shqipërinë për një çast në duart tuaja, tmerrohem.
Racistë. Ksenofobë. Antiperëndimorë. Antidemokratë. Regresistë. Mashtrues. Gënjeshtarë.
Me ju Shqipëria nuk ecën përpara.
Jo, faleminderit!



