40 raste me fruth në Kosovë, IKShPK-ja bën thirrje për vaksinimin e fëmijëve
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se gjatë periudhës 16 prill – 22 qershor 2026, në Kosovë janë regjistruar gjithsej 40 raste të konfirmuara me fruth.
Sipas të dhënave zyrtare, rastet janë shpërndarë në disa komuna të vendit. Ferizaj prin me 11 raste, pasuar nga Prishtina me 9, Kaçaniku me 6 dhe Fushë-Kosova me 3 raste. Nga dy raste janë raportuar në Lipjan, Vushtrri, Shtime dhe Obiliq, ndërsa nga një rast në Gjilan, Drenas dhe Deçan.
IKShPK-ja u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe të paraqiten menjëherë në institucionet shëndetësore në rast të shfaqjes së simptomave të dyshimta, si temperatura e lartë, skuqje të lëkurës, kollë, rrufë dhe konjuktivit.
“Duke pasur parasysh infektueshmërinë e lartë të fruthit, rrezikun e përhapjes së tij në komunitet dhe komplikimet që shkakton, IKShPK u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurojnë vaksinimin sipas Kalendarit të rregullt të imunizimit në qendrat e mjekësisë familjare”, është thënë në njoftimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK).
IKShPK-ja ka theksuar se vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e personave të pavaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik.



