Alketa Gashi Fazliu merr vlerësimin e radhës në profesionin e gazetarisë
Gazetarja dhe moderatorja e Radiotelevizionit të Kosovës, Alketa Gashi Fazliu, pranoi solemnisht në Prishtinë çmimin ndërkombëtar “Gazetarja e Vitit” nga Universiteti amerikan i Teksasit në Dallas, shkruan “Epoka e re”.
Në sallën e rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku ishin të pranishëm intelektualë të fushave të ndryshme, çmimin e dorëzoi profesori i ardhur enkas nga Universiteti i Teksasit, Gjek Marinaj.
Ai ia dorëzoi medaljen e Universitetit të Teksasit në Dallas si dhe shallin tradicional të këtij universiteti.

“Përmes raportimeve dhe shkrimeve të saj, ajo ka dëshmuar disiplinën intelektuale, guximin qytetar dhe qartësinë etike që e karakterizojnë gazetarinë në nivelin më të lartë”, tha Marinaj. Motivacioni i çmimit për gazetaren e vitit 2025 (“Orpheus Texts Journalist of the Year 2025”) ishte për “vlerësim të një karriere të shquar, të përkushtuar ndaj saktësisë dhe gazetarisë në interes të publikut”.
Intelektuali veteran Zymer Neziri lexoi motivet e rekomandimit për këtë çmim, ndërsa ambasadori i parë i Kosovës në SHBA, gazetari shumëvjeçar dhe përkthyes i njohur Avni Spahiu, i përforcoi më tej këto argumente. Ai theksoi se Alketa është një emër i respektuar në gazetarinë kosovare, e dëshmuar në shumë zhanre të gazetarisë televizive, si prezantuese e emisioneve, autore dokumentarësh dhe promovuese e kulturës e librit.
Rozafa Basha, prorektore për marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, tha se UP është krenare për Alketën, e cila ka studiuar dhe është formuar aty. Një moment emocionues ishte dalja në foltore e veteranes prizrenase të arsimit, mësueses së parë të Alketës, zonjës Agnesa Çipa.

“Është një çmim që ia dedikoj jo vetëm vetes, por të gjithë gazetarëve që e duan fjalën e lirë, që kanë etikë dhe integritet profesional – profesion shumë i shenjtë”, tha Alketa Gashi Fazliu.
Ajo shprehu mirënjohje publike për gazetaren Jehona Krasniqi, e cila dikur ia kishte besuar mikrofonin Alketës 13-vjeçare në radion lokale të Prizrenit.
Krasniqi më pas shkroi në profilin e saj në Facebook: “Disa rrugë nisin krejt rastësisht, por përfundojnë duke u bërë histori suksesi. Sot, kur emri i Alketës nderohet me çmimin ‘Gazetarja e Vitit’, ndiej një krenari që vështirë përshkruhet me fjalë. Alketa jo vetëm që i përmbushi pritshmëritë e mia, por i tejkaloi ato me punë, përkushtim, profesionalizëm dhe integritet.”
Pas ceremonisë, prorektorja Basha zhvilloi takim me profesorin e disertacioneve dhe hulumtimeve ndërkombëtare, me bazë në Universitetin e Teksasit në Dallas, Gjekë Marinaj, i cili është edhe drejtor i shtëpisë botuese “Mundus Artium Press”.
/Epoka e re/



