Lansohet platforma për mbledhjen dhe raportimin e statistikave të investimeve të huaja direkte

23 qershor 2026 | 16:23

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka organizuar aktivitetin me kompanitë raportuese, për prezantimin dhe lansimin e platformës së re DCSES (Data Collection and Statistics Exchange System), e cila do të shërbejë për mbledhjen elektronike të statistikave të investimeve të huaja direkte.

Në hapje të aktivitetit, zëvendësguvernatori i BQK-së, Dardan Fusha, falënderoi kompanitë raportuese për bashkëpunimin dhe kontributin e tyre të vazhdueshëm në procesin e raportimit statistikor në BQK, duke theksuar se cilësia e statistikave zyrtare varet drejtpërdrejt nga cilësia dhe saktësia e të dhënave të raportuara.

Zëvendësguvernatori Fusha nënvizoi se investimet e huaja direkte përfaqësojnë një nga treguesit më të rëndësishëm të besimit të investitorëve në ekonominë e Kosovës dhe se cilësia e statistikave në këtë fushë ndikon drejtpërdrejt në prezantimin e vendit para investitorëve ndërkombëtarë, institucioneve financiare dhe partnerëve zhvillimorë.

Platforma e re DCSES paraqet një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të procesit të mbledhjes së të dhënave në formë elektronike dhe raportimit statistikor në BQK.

Ajo është zhvilluar në përputhje me standardet më të avancuara ndërkombëtare dhe kërkesat e reja statistikore, përfshirë ato të Manualit të fundit BPM7, duke kontribuar në përafrimin e mëtejshëm të sistemit statistikor të Kosovës me praktikat e ekonomive dhe institucioneve më të avancuara.

Për kompanitë raportuese, platforma e re do të mundësojë një proces më të thjeshtë dhe më efikas të raportimit, do të reduktojë barrën administrative, do të përmirësojë saktësinë e të dhënave dhe do të lehtësojë komunikimin ndërmjet raportuesve dhe BQK-së.

Përmes automatizimit të proceseve dhe kontrolleve të integruara, pritet të reduktohen nevojat për korrigjime të mëvonshme dhe procedurat manuale, duke kursyer kohë dhe burime si për kompanitë ashtu edhe për BQK-në.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Numri i shkollave që kanë njoftuar mbyllje të plotë ose…