Messi flet pas rekordit në Kupën e Botës
Lionel Messi ka vazhduar të shkruajë histori në Kupën e Botës 2026, duke u bërë golashënuesi më i mirë në historinë e turneut, ndërsa Argjentina ka siguruar kualifikimin në fazën eliminatore pas fitores 2-0 ndaj Austrisë.
Kapiteni argjentinas humbi një penallti, por arriti të realizojë dy gola në një mbrëmje të paharrueshme, duke e zgjatur serinë e tij të golave në Kupën e Botës në gjashtë ndeshje radhazi.
I pyetur për rekordin historik dhe emocionet e kësaj nate, 38-vjeçari u përgjigj me stilin e tij karakteristik.
“Jam shumë i lodhur”, ka thënë Messi me buzëqeshje.
Goli i parë i sulmuesit argjentinas erdhi pas një krosimi të ulët nga Facundo Medina, duke e barazuar atë me legjendën braziliane Marta në kuotën e 17 golave në Kupat e Botës te meshkujt dhe femrat.
Megjithatë, në kohën shtesë Messi shënoi edhe një herë, duke arritur në 18 gola dhe duke vendosur një rekord të ri absolut në historinë e turneut.
“Jam shumë i lumtur me fitoren. Ishte një fitore jashtëzakonisht e rëndësishme, një ndeshje e vështirë për të cilën punuam shumë. Na jep qetësi për atë që na pret më pas”, ka deklaruar ai.
Mbrëmja mund të kishte qenë edhe më e lehtë për Argjentinën nëse Messi do të kishte shënuar nga pika e bardhë në pjesën e parë, por veterani argjentinas vlerësoi reagimin e skuadrës pas përmirësimit të lojës së Austrisë në pjesën e dytë.
“Të them të drejtën, mënyra se si përfundoi gjithçka sot ishte spektakolare. Kisha penalltinë që mund ta rriste avantazhin tonë, por jam i lumtur me rezultatin dhe me punën e ekipit”, ka shtuar ai.
Messi, i cili do të mbushë 39 vjeç më vonë gjatë kësaj jave, ka realizuar tashmë pesë gola në këtë Kupë të Botës, ndërsa Argjentina ka grumbulluar gjashtë pikë nga dy ndeshje në grupin J.
Falë këtij suksesi, kampionët e botës kanë siguruar kalimin në fazën e 1/16-ës së finales, me një ndeshje ende pa u zhvilluar.



