Rama për ‘Bloomberg’: Shqipëria nuk tërhiqet nga projektet turistike në Zvërnec dhe Sazan
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar për “Bloomberg” se qeveria shqiptare nuk do të tërhiqet nga mbështetja për projektet turistike luksoze në Zvërnec dhe Sazan, pavarësisht protestave që kanë vazhduar prej javësh.
Në deklaratat e tij, Rama ka theksuar se duhet bërë dallimi mes “protestave të vërteta” dhe asaj që e ka quajtur “teatër politik”, duke iu referuar kundërshtimeve ndaj projekteve.
Sipas tij, mandati i fituar në zgjedhjet e fundit i jep qeverisë legjitimitetin për të vazhduar me vizionin e transformimit të Shqipërisë në një destinacion turistik të nivelit të lartë, duke shtuar se ky proces nuk mund të ndikohet nga “zërat më të zhurmshëm në internet”.
Projektet, të mbështetura nga kompania Affinity Partners e Jared Kushner, kanë nxitur reagime të shumta publike dhe protesta të përditshme, ku kërkohet anulimi i tyre dhe dorëheqja e kryeministrit.
Rama ka deklaruar gjithashtu se as “një pakicë e zhurmshme”, as opozita dhe as “valët e zemërimit të amplifikuara në mënyrë dixhitale” nuk do ta pengojnë realizimin e vizionit “Shqipëria 2030”.
Sipas raportimit të “Bloomberg”, protestat nisën në fund të majit pas fillimit të punimeve paraprake në zonën e gadishullit të Zvërnecit, ndërsa Ivanka Trump kishte folur më herët për planet e zhvillimit të ishullit të Sazanit.
Rama ka përsëritur edhe më parë pretendimet se protestat mund të jenë të nxitura artificialisht në rrjetet sociale dhe ka lënë të kuptohet se mund të ketë përfshirje të faktorëve të jashtëm, pa paraqitur prova konkrete.



