Besimi publik në Kosovë: ushtria dhe policia në krye, partitë politike në fund
Qytetarët e Kosovës kanë nivelin më të lartë të besimit te forcat ushtarake dhe policia, ndërsa besimi më i ulët shënohet te partitë politike, sipas të dhënave të matjeve të WeBalkans.eu, Sondazhi Vjetor 2026.
Në anketë, qytetarëve iu kërkua të tregonin nivelin e besimit ndaj institucioneve, organizatave dhe sistemeve kryesore në Kosovë. Rezultatet tregojnëse institucionet e sigurisë gëzojnë besim shumë të lartë publik, ndërsa partitë politike, mediat dhe disa institucione të drejtësisë e qeverisjes përballen me mosbesim të theksuar.
Sipas matjeve, FSK-ja është institucioni më i besuar në vend: 87.4 për qind e të anketuarve thanë se priren t’u besojnë atyre, ndërsa 8.7 për qind thanë se priren të mos u besojnë. Pas tyre renditet policia, me 85.6 për qind besim dhe 10.9 për qind mosbesim.
Në mesin e institucioneve politike, Presidentja/Presidenti i Kosovës ka nivelin më të lartë të besimit, me 77 për qind të qytetarëve që deklaruan se priren t’i besojnë këtij institucioni.
Rezultati më i dobët është regjistruar për partitë politike. Vetëm 25.8 për qind e qytetarëve thanë se priren t’u besojnë partive, ndërsa 67.6 për qind deklaruan se priren të mos u besojnë. Ky është hendeku më i madh negativ në të gjithë listën e institucioneve të matur nga anketa.

Besimi ndaj sistemit të drejtësisë dhe proceseve demokratike paraqitet i ndarë. Sistemi gjyqësor gëzon besimin e 48.1 për qind të qytetarëve, ndërsa 45.5 për qind priren të mos i besojnë. Sistemi zgjedhor ka një bilanc të ngjashëm: 47.5 për qind besim dhe 43.7 për qind mosbesim.
Edhe mediat dalin me bilanc negativ. Sipas të dhënave, 40.4 për qind e të anketuarve thanë se priren t’u besojnë mediave, ndërsa 52.2 për qind thanë se priren të mos u besojnë.
Në anën tjetër, autoritetet fetare gëzojnë besimin e 69.2 për qind të qytetarëve, organizatat e shoqërisë civile të 59 për qind, ndërsa autoritetet publike lokale të 56.7 për qind.



