Situatë e pazakontë në Kupën e Botës: Për Austrinë dhe Algjerinë humbja mund të jetë më e favorshme se fitorja
Fitorja në Kupën e Botës duhet të jetë synimi i çdo kombëtareje, por në edicionin 2026 po shfaqet një situatë e pazakontë ku humbja mund të rezultojë më e favorshme se fitorja për vazhdimin e garës.
Kupa e Botës 2026 është e para me 48 ekipe, të ndara në 12 grupe me nga katër skuadra. Ndryshe nga formatet e mëparshme, ku dy ekipet e para kalonin tutje, tani në fazën eliminatore avancojnë 32 skuadra, përfshirë tetë vendet e treta më të mira.
Një nga ndeshjet më interesante të fazës së grupeve është ajo mes Austrisë dhe Algjerisë. Të dyja kombëtaret kanë nga tri pikë dhe do të hyjnë në ndeshjen e fundit duke e ditur saktësisht se çfarë u nevojitet për kualifikim.
Sipas skenarëve aktualë, një barazim mund t’i dërgojë të dyja ekipet në fazën eliminatore. Megjithatë, situata bëhet edhe më interesante sepse humbësi i kësaj ndeshjeje ka gjasa të mëdha të kualifikohet si një nga vendet e treta më të mira.
Dallimi qëndron te kundërshtari në fazën tjetër. Ekipi që përfundon i dyti në grup pritet të përballet me fituesin e Grupit H, ku favorite është Spanja, një nga pretendentet kryesore për titullin.
Në anën tjetër, skuadra që kualifikohet si vend i tretë mund të përballet me kundërshtarë teorikisht më të përballueshëm, nga grupet D, B, G, L ose K.
Kjo situatë rikujton të ashtuquajturin “Turpi i Gijonit” në Kupën e Botës 1982, kur Gjermania Perëndimore dhe Austria luajtën një ndeshje me rezultat 1-0 që u siguronte të dyja skuadrave kualifikimin, duke eliminuar Algjerinë.
Pas golit të hershëm të gjermanëve, të dy ekipet praktikisht ndalën së sulmuari, duke administruar rezultatin deri në fund. Ndeshja u kritikua ashpër nga opinioni sportiv dhe konsiderohet si një nga episodet më të diskutueshme në historinë e futbollit.
Si pasojë e atij rasti, FIFA vendosi që ndeshjet e fundit të çdo grupi të zhvillohen në të njëjtën kohë, për të shmangur kalkulimet dhe marrëveshjet e mundshme mes skuadrave. Në Kupën e Botës 2026, megjithatë, formati i ri po krijon sërish skenarë të pazakontë, ku rruga drejt suksesit mund të kalojë edhe përmes një humbjeje.



