NUK DUHET TË PËRZIHEMI NË PUNËT E SHQIPËRISË

24 qershor 2026 | 13:54

Shkruan: Bedri Halimi

Një kujtesë për ata që ngatërrojnë detyrimin kombëtar me përfshirjen në konfliktet politike të Shqipërisë.

Në vend të prologut

Sa herë që në Shqipëri shpërthen një krizë politike, nuk mungojnë zëra edhe nga Kosova që rreshtohen, protestojnë, japin leksione ose edhe më keq, bëhen pjesë e përplasjeve. Kjo nuk është as e re dhe as pa pasoja. Historia ka folur për këtë shumë më herët.
Shqipëria është shteti amë i të gjithë shqiptarëve. Kur ajo rrezikohet nga një armik i jashtëm, mbrojtja e saj është detyrim kombëtar për secilin shqiptar, kudo që jeton.
Por krejt tjetër është të përzihesh në përplasjet e saj të brendshme politike.
Historia e afërt shqiptare ka dhënë mjaft shembuj që tregojnë se kjo rrugë nuk i ka shërbyer as Shqipërisë, as Kosovës. Pikërisht për këtë ia vlen të kujtojmë disa gjëra jo shumë të largëta.

Kur filluan përçarjet? Nuk është hera e parë…

Menjëherë pas rënies së monizmit në Shqipëri, disa shqiptarë nga Kosova filluan të hynin e të dilnin lirisht në Shqipëri. Por, jo të gjithë me të njëjtin qëllim. Disa shkonin për të parë Shqipërinë, për të takuar të afërmit dhe për të prekur vendin që e kishin ëndërruar për dekada. Por kishte edhe nga ata që nuk shkonin thjesht si vizitorë. Këta që shkonin me detyra hynin e dilnin nga kufiri në Morinë.
Sjellja e tyre linte përshtypjen se synohej krijimi i një distance ndërmjet shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë. Në shumë raste përcillej propaganda se shqiptarët në ish-Jugosllavi kishin jetuar më mirë dhe se Shqipëria nuk kishte çfarë t’u ofronte atyre. Në këtë mënyrë zhvlerësohej edhe ndjenja e përbashkët e përkatësisë kombëtare.
Rrëfimet e kohës flasin për skena të trishtueshme që krijonin më shumë distancë sesa afrim.
Sjellja e tyre linte të kuptohej se kishin një mision tjetër: të krijonin ftohtësi ndërmjet shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë. Në biseda propagandonin se shqiptarët në ish-Jugosllavi paskëshin jetuar më mirë; se sistemi jugosllav paskësh qenë më i zhvilluar dhe se Shqipëria nuk kishte çfarë t’u ofronte shqiptarëve të Kosovës. Në këtë mënyrë përpiqeshin të zhvlerësonin jo vetëm sakrificat e shqiptarëve të Shqipërisë, por edhe vetë ndjenjën e përkatësisë kombëtare.
Nuk mjaftoheshin vetëm me propagandë. Me para në marka gjermane, të cilat në Shqipërinë e asaj kohe kishin një peshë të jashtëzakonshme, ku personat me porosi, “demonstronin pasurinë” në mënyra që binin në sy. Legjenda e kohës thoshte se nën këmbën e tavolinës viheshin njëmijë marka vetëm që tavolina të mos lëvizte. Ishte një shfaqje arrogance, e cila, në vend që të afronte shqiptarët, krijonte pakënaqësi dhe paragjykime.
Pasojat nuk vonuan. Tek shumë shqiptarë të Shqipërisë filloi të krijohej një perceptim i gabuar se kështu silleshin të gjithë shqiptarët e Kosovës. Ndërsa, nga ana tjetër, propaganda që vinte nga këta individë ushqente idenë se Shqipëria dhe populli i saj nuk meritonin respekt. Kështu, pa e kuptuar ose duke e kuptuar shumë mirë, hidhej fara e përçarjes ndërmjet dy pjesëve të të njëjtit komb.
Kush përfitonte nga ftohja e marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Shqipërisë?

Në fillim, jo të gjithë mund të shkonin në Shqipëri

Rënia e sistemit në Shqipëri nuk nënkuptonte liri të plotë për të gjithë shqiptarët nën ish Jugosllavi. Shumë veprimtarë kombëtarë vazhdonin të përballeshin me kufizime dhe ndëshkime, nëse shkonin në Shqipëri, pa dijeninë e UDB-së, nga pika të tjera kufitare.
Raste si ai i veprimtarëve Naip Osmanit dhe Sherif Zenunit, të cilët e kishin vizituar Shqipërinë nga Qafëthana, e të cilët u ndëshkuan pas kthimit nga Shqipëria, tregojnë se lëvizja nuk ishte e njëjtë për të gjithë.
Edhe unë vetë, ndonëse isha i angazhuar në veprimtarinë kombëtare, nuk u lejova të hyja në Shqipëri nga Morina deri në vitin 1996.
Pse lejoheshin qw ne fillim, disa të hynin e të dilnin lirshëm në mënyrë të selektuar? Pse ndëshkoheshin të tjerët? Pse përhapej propaganda se në Serbi jetohej më mirë? Pse krijohej përbuzje ndaj Shqipërisë? Pse më vonë disa u gjendën në përplasjet politike të Tiranës?

Kur Shqipëria përgatitej për luftën

Në kohën kur lufta në ish-Jugosllavi kishte marrë përmasa të rënda në Slloveni, Kroaci dhe Bosnje, në të njëjtën periudhë, në Shqipëri u organizuan edhe stërvitje ushtarake për grupe shqiptarësh nga Kosova.
Kosova nuk kishte status republike dhe autonomia e saj ishte suprimuar me dhunë nga regjimi i Millosheviqit. Në këtë kontekst, shumëkush e shihte të pashmangshme se liria nuk mund të vinte pa përballje me Serbinë.
Shumë prej atyre që morën pjesë në stërvitje, më vonë u përballën me ndjekje dhe burgosje në Kosovë pas kthimit të tyre.

Ata që u përgatitën dhe ata që u përballën me pasoja

Pas kthimit në Kosovë, një pjesë e këtyre njerëzve u ndoqën dhe u arrestuan nga forcat serbe, vetëm pse ishin përgatitur për rezistencë.
Nga ana tjetër, edhe në Shqipëri, në një periudhë që dihet, veprimtarë të çështjes kombëtare janë përballur me pengesa dhe trajtime të padrejta.
Kjo tregon kompleksitetin e kohës dhe kontradiktat e rrethanave politike të asaj periudhe.

Kur Kosova kishte luftë, Shqipëria kishte hapur dyert

Pra, pa Shqipërinë e viteve 1945–1999, e sidomos pa ndihmën që dha Shqipëria deri në përfundimin e luftës, është e qartë se ajo nuk do të kishte marrë atë zhvillim që mori.

14 shtatori nuk ishte rastësi: Kur Kosova digjej, disa shqiptarë nga Kosova vetëm shikonin nga Tirana, e disa ndihmonin t’i hidhnin benzin zjarrit…

Viti 1998 ishte një nga periudhat më të rënda për Kosovën. Familja Jashari u flijua në Prekaz, duke u bërë simbol i qëndresës. UÇK-ja përballej me ofensiva të njëpasnjëshme, ndërsa popullsia civile përjetonte dhunë dhe shpërngulje masive.
Në ato rrethana, vëmendja duhej të ishte e përqendruar në mbështetjen e luftës në Kosovë.
Por më 14 shtator 1998 në Tiranë ndodhi një përplasje politike, tentim për grushtshtet, ku në mënyrë të çuditshme u përfshinë edhe disa shqiptarë nga Kosova, të identifikuar si pjesëtarë të FARK-ut.
Kjo ngjarje ngriti pyetje të natyrshme: Çfarë kërkonin aty ata shqiptarë nga Kosova? Pse nuk ishin në Kosovë? Çfarë qëllimi i shërbeu pjesëmarrja e tyre më 14 shtator 1998? Kujt i shërbeu ky aksion? Çfarë fitoi Kosova me pjesëmarrjen e tyre edhe në tentimin për marrjen e RTSH-së? Janë këto pyetje që kurrë nuk morrën përgjigje.

Në Shqipëri shkohej për armë, apo për protesta?

Dihet kush sa ka ndihmuar, kush është angazhuar e kush ka bërë sehir, qoftë në Shqipëri, qoftë në shtetet e Evropës. Kjo është një temë më vete.
Shqiptarët e Kosovës shkonin në Shqipëri për t’i marrë armët.
I bartnin në shpinë, me kuaj, me mushka e me gomarë. Ndërsa sot dalin disa individë nga Kosova e bërtasin në sheshin e Tiranës, duke u përzier për problemet e brendshme të Shqipërisë, sikur të kishin qenë në “sajfen e parë” me Adem Jasharin. Edhe Adem Jashari po të ishte gjallë, nuk do ti jepte vetës të drejtë për tu përzie në problemet e Tiranës.

Kush dha më shumë: disa gomarë apo disa “patriotë”?

Kështu, duke shikuar edhe skena tragjikomike të disa shqiptarëve nga Kosova, Maqedonia…, nuk mund të mos e themi edhe njëherë atë që dihet: Më shumë kontribut për luftën e Kosovës kanë dhënë gomarët e kuajt, që bartën armë gjatë luftës, sesa disa të tjerë që silleshin nëpër Tiranë e Perëndim.

Ata që ranë për Kosovën, e nuk ishin nga Kosova

Kur Kosova kishte nevojë për ndihmë, sepse ishte nën sulmin e Serbisë, gjatë viteve 1998–1999, pati shumë shqiptarë edhe nga Shqipëria që nuk pyetën për rrezikun. Ata morën armët dhe iu bashkuan luftës për çlirimin e Kosovës. Shumë prej tyre ranë dëshmorë, si:
Adem Bajram Selmani (1967) nga Tropoja;
Adem Ukë Mazreku (1964) nga Vranishta;
Agim Ismail Muja (1970) nga Kruma;
Arben Rexhë Kraja (1972) nga Vlahna;
Arben Selim Bardhoshi (1979) nga fshati Letaj;
Arian Xhemil Brahimi (1977) nga Shkodra;
Arif Shpend Dautaj (1959) nga Gegaj i Tropojes;
Artan Xhemë Kovaçi (1982) nga Vlahna e Hasit;
Astrit Hekuran Suli (1976) nga Luzaj, komuna Lumas – Berat;
Astrit Selman Rrushi (1970) nga Qarri i Hasit;
Behar Adem Ademaj (1970) nga Bardhoci i Kukësit;
Besmir Adem Brati (1970) nga Golaj;
Besnik H Bardhoshi;
Bylbyl Hazir Breçani (1974) nga Markaj – Tropojë;
Dinë Alush Koleci (1945) nga Kishaj – Has;
Etem Tote Syla (1965) nga Morina – Kukës;
Fatmir Rexhep Ndoqi (1978) nga Bujani i Malësisë së Gjakovës;
Halim Zenun Bardhoshi (1947) nga Peraj – Letaj i Hasit;
Halit Riza Coka (1974) nga Arrni – Kukës;
Hamdi Muharrem Mula (1964) nga Dobruna, komuna e Golajt;
Hazir Avdyl Mala (1941) nga fshati Tpla i Malësisë së Gjakovës;
Hyrë Mehmet Demiri (1927) 72 vjeqare nga lagja Sallah;
Hysen Asllan Syla (1962) nga fshati Morinë – Kukës;
Hysni Adem Hajdarmataj (1946) nga fshati Zherkë – Tropojë;
Indrit Lulzim Cara (1971) nga Kavaja;
Isa Dervish Thaçi (1966) nga fshati Domaj – Krumë;
Isa Peshk Malaj (1942) nga Peraj;
Lavdije Ramadan Lusha (1984) nga Golaj, pra 15 vjeçare;
Lefter Lutfi Koxha (1969) nga fshati Nishovë – Skrapar;
Man Arif Sallahi (1937) Tiranë;
Mehmet Ramë Dezdari (1972) nga Shkelzeni – Tropojë;
Mehriman Ukë Dauti nga Zaharishta – Has;
Mensur Skener Syla (1978) nga Morini – Kukës;
Merita M. Cahani (1977) nga Cahani;
Musë S. Cahani (1939) nga Cahani;
Naim Hajdar Qema (1978) nga Mujaj – Kishaj;
Ndriçim Sherif Koxha (1971) Lushnje;
Nesim Hysni Syla (1968) nga Morini – Kukës;
Pajtim Ahmet Roci (1980) nga Kruma;
Qazim Hazir Dautaj (1952) nga Gegaj – Tropojë;
Ramë Musë Geca (1980) nga Kruma;
Ramë Rexhep Sallahi (1937) 64 vjeqar;
Ramiz Ramë Memia (1968) nga Myhejani – Tropojë;
Sadri Besim Ahmati (1945) nga Vlahna;
Selim Tahir Kalaja (1937) nga Vlahna;
Skender Rasim Morina (1970) nga Pogaj – Has;
Lulzim Sadik Morina (1973) nga Pogaj – Has;
Skerdilajd Bardhyl Llagami (1969) Tiranë;
Tahir Hoxha (1937);
Hysen Mella (1964);
Tahir Mal Sinani (1964) nga fshati Gri – Tropojë;
Tahir Ramë Memia (1964) nga Myhejani – Tropojë;
Xhavit Lleshi (1955) nga fshati Kishaj;
Osman Ibish Lleshi (1967) nga fshati Kishaj;
Xheladin Qazim Dauti (1955) nga Golaj;
Xhemë Ali Kovaqi (1936) nga Vlahna;
Xhemë Sadri Bardhoshi (1964) nga Letaj – Has;
Xhemile Makel Sallahu (1927) pra 72 vjeçare;
Xhevahir Bajram Selmani (1965) Tropojë;
Xhevat Ajet Lleshi (1969) nga Kishaj, etj.
Kur kësaj i shtohet edhe fakti se pothuajse i gjithë armatimi për UÇK-në kaloi nga Shqipëria, atëherë çdo gjë bëhet edhe më e qartë.

Para se të flisni për Tiranën, kujtoni Kosovën

Pra disa shqiptarë jashtë territorit aktual të shtetit shqiptarë, para se të marrin pjesë në protesta apo të shkruajnë për punët e Shqipërisë, sidomos nga Kosova, do të ishte mirë ta rishikonin një herë pozicionin dhe qëndrimin e tyre gjatë luftës në Kosovë, e cila nuk është aq larg sa të jetë harruar.
Historia nuk fal harresën. Historia nuk fillon me protestat e Tiranës. Historia fillon me kujtesën. Kush e harron atë që ndodhi dje, rrezikon të bëhet vegël e atyre që duan ta përsërisin nesër vitin 1997 apo 1998.

Pas çlirimit – shtetet dhe institucionet

Pas çlirimit të Kosovës, të dyja shtetet shqiptare ndërtuan institucionet e tyre. Kosova dhe Shqipëria u bënë shtete me përgjegjësitë e tyre, me zgjedhje të rregullta dhe me institucione që përfaqësojnë qytetarët e tyre.
Ndërmjet tyre u zhvillua bashkëpunim në fusha të ndryshme: arsim, kulturë, ekonomi dhe politikë të jashtme.
Ky është edhe modeli i kohës, i marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve sovrane.

Për Shqipërinë vendosin qytetarët e Shqipërisë

Prej katër mandatesh qeverisjen në Shqipëri e mban Partia Socialiste. Të katër këto mandate kanë dalë nga procese zgjedhore, të cilat janë monitoruar nga faktori ndërkombëtar.
Natyrisht, qeverisja për një periudhë kaq të gjatë sjell edhe konsumim politik. Kjo nuk është një dukuri vetëm shqiptare. Në çdo demokraci, edhe në shtetet më të zhvilluara, pushteti me kalimin e kohës konsumohet, ndërsa çdo qeveri bën gabime dhe lëshime.
Por këto gabime nuk mund dhe nuk duhet t’i korrigjojnë shqiptarët nga Kosova, Lugina e Preshevës, Maqedonia e Veriut apo Mali i Zi. Arsyeja është e thjeshtë: ata nuk janë pjesë e trupit elektoral të Shqipërisë. Nuk votojnë, nuk zgjedhin dhe nuk kanë mandat të vendosin se kush duhet ta qeverisë shtetin shqiptar.
Nëse në Shqipëri ka pakënaqësi ndaj qeverisë, atëherë përgjigjja duhet të vijë nga qytetarët e Shqipërisë, përmes votës së lirë dhe institucioneve demokratike. Po kështu, nëse opozita nuk arrin të bindë shumicën e qytetarëve, përgjegjësia kryesore bie mbi vetë opozitën. Në demokraci, pushteti nuk ndryshohet nga ata që nuk votojnë, por nga ata që fitojnë besimin e shumicës së votuesve.
Prandaj, respekti për demokracinë nënkupton edhe respekt për të drejtën e qytetarëve të Shqipërisë që vetë ta zgjedhin dhe, kur ta gjykojnë të arsyeshme, edhe ta ndryshojnë qeverinë e tyre.

Protestat dhe përfshirja e jashtme

Së fundi, në Shqipëri nisën protesta qytetare, fillimisht të lidhura me çështjen e Zvërnecit. Me kalimin e ditëve, ato morën një karakter gjithnjë e më politik, duke u shoqëruar me kërkesa që shkonin përtej çështjes fillestare. Në mesin e tyre u artikuluan edhe kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, si edhe për arrestimin e tij dhe të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Kjo është e drejtë e qytetarëve të Shqipërisë. Në një shtet demokratik, protesta është pjesë e jetës politike dhe çdo qytetar ka të drejtë të shprehë pakënaqësinë e vet në mënyrë paqësore, brenda kufijve të ligjit.
Por, në momentin kur në këto protesta fillojnë të përfshihen grupe ose individë nga jashtë Shqipërisë, çështja merr një dimension tjetër. Atëherë nuk kemi më vetëm një debat të brendshëm politik, por edhe përzierje të faktorëve që nuk janë pjesë e trupit elektoral të Shqipërisë dhe që nuk mbajnë përgjegjësi për pasojat e zhvillimeve politike në atë shtet.
Pikërisht këtu duhet bërë dallimi. Solidariteti me Shqipërinë është një detyrim kombëtar. Përzierja në garën e saj të brendshme politike është një çështje krejt tjetër.
Dhe pikërisht në këtë fazë të protestave kur po shfaqen edhe pjesëmarrës nga jashtë Shqipërisë, kjo gjë e riktheu një pyetje të vjetër: a duhet të përzihemi në punët e brendshme politike të shtetit shqiptar?

Secili shtet i zgjidh vetë problemet e veta

Problemet e brendshme politike të Shqipërisë nuk mund t’i zgjidhin shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Jo sepse nuk e duan Shqipërinë, por sepse nuk janë qytetarë të saj, nuk marrin pjesë në jetën e saj politike dhe nuk vendosin me votë për institucionet e saj.
Ky është një parim që vlen për çdo shtet demokratik.
Edhe Kosova ka problemet e veta politike. Vetëm gjatë gjashtëmbëdhjetë muajve të fundit janë mbajtur tri procese zgjedhore, çka dëshmon për një situatë të ndërlikuar politike. Në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët vazhdojnë të përballen me sfida që lidhen me të drejtat e tyre kombëtare e gjuhësore. Edhe në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi, shqiptarët kanë probleme të shumta që kërkojnë angazhim dhe zgjidhje.
Prandaj, është vështirë të kuptohet pse disa shqiptarë nga këto troje lënë mënjanë sfidat e vendeve ku jetojnë dhe përfshihen në përplasjet politike të një shteti tjetër. Kjo nuk i ndihmon as Shqipërisë, as vendeve prej nga ata vijnë.
Por përplasjet e brendshme politike nuk janë luftë për mbijetesën e kombit. Ato janë pjesë e jetës demokratike të një shteti sovran dhe duhet të zgjidhen nga qytetarët e atij shteti, me votë, me institucione dhe me përgjegjësi demokratike.

Kur do të duhej përzier në Shqipëri?

Rrjedhimisht, shqiptarët e Kosovës, të Luginës së Preshevës, të Maqedonisë së Veriut dhe të Malit të Zi, kanë jo vetëm të drejtën morale, por edhe detyrimin kombëtar, të shkojnë në Shqipëri, për ta mbrojtur atë, në rast se Shqipëria sulmohet nga Greqia, Serbia, Bullgaria apo kushdo tjetër. Për këtë nuk duhet as ftesë e as leje. Ashtu si shumë të luftëtarë nga Shqipëria morën pjesë në luftën e Kosovës me Serbinë, duke e dhënë jetën për lirinë e Kosovës.
Por të shkosh sot, për t’u përzier në përplasjet e brendshme politike të Shqipërisë, me vetëdije ose pa vetëdije, do të thotë të bëhesh argat i dikujt.

Në vend të epilogut

Shqiptarët janë një komb, por sot jetojnë në disa shtete. Kjo është një e vërtetë aktuale që nuk mund të ndryshohet me dëshira, por as nuk duhet të shndërrohet në shkak për keqkuptime ndërmjet nesh.
Kur rrezikohet një pjesë e kombit nga jashtë, përgjegjësia është e përbashkët. Por kur bëhet fjalë për politikën e brendshme të një shteti, vendimet i takojnë qytetarëve të atij shteti.
Edhe kur nuk bëhet pa qëllim, përfshirja në këto përplasje mund të dëmtojë raportet vëllazërore ndërmjet shqiptarëve.
Vetëm duke e respektuar këtë dallim ruhet besimi, forcohet bashkëpunimi dhe nderohen sakrificat e atyre shqiptarëve nga Shqipëria që luftuan dhe e dhanë jetën për liri në Kosovë dhe për dinjitet në Shqipëri.
Siç u potencua më lartë, kur rrezikohet Shqipëria, Kosova, apo cilado pjesë tjetër e trojeve shqiptare nga një armik i jashtëm, nuk kemi nevojë për ftesa, as për leje. Atëherë detyrimi ynë është i përbashkët, sepse mbi gjithçka qëndron interesi kombëtar.
Por kur bëhet fjalë për jetën e brendshme politike të secilit shtet shqiptar, përgjegjësia u takon qytetarëve të atij shteti. Ata votojnë, ata mbajnë përgjegjësi për zgjedhjet e tyre dhe ata kanë të drejtën ta ndryshojnë pushtetin përmes institucioneve demokratike.
Përzierja e shqiptarëve nga një shtet në përplasjet politike të një shteti tjetër, qoftë edhe me qëllime të mira, rrezikon të krijojë mosbesim, keqkuptime dhe të dëmtojë marrëdhëniet vëllazërore që janë ndërtuar me shumë sakrifica ndërmjet shqiptarëve, kudo që jetojnë.
Historia e tri dekadave të fundit na mëson një dallim të qartë: kur kombi ka qenë në rrezik, shqiptarët kanë ditur të bëhen një. Kurse për çështjet e politikës së brendshme, urtësia kërkon respekt për institucionet, për sovranitetin dhe për vullnetin e qytetarëve të secilit shtet.
Vetëm kështu ruhet besimi ndërmjet nesh. Vetëm kështu forcohet bashkëpunimi mbarëshqiptar. Dhe vetëm kështu sakrificat e atyre që ranë për lirinë e Kosovës dhe për dinjitetin e Shqipërisë nuk përdoren për të thelluar ndarje që nuk i shërbejnë askujt, pos armiqve të shqiptarëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump,…