Barbano: Për xhandarmërinë duhet respektuar korniza kushtetuese e Kosovës
Shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano, ka thënë se për krijimin e xhandarmërisë, të paralajmëruar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duhet të respektohet korniza ligjore e përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës.
Barbano ka theksuar se Kushtetuta e konsideron Policinë e Kosovës si institucionin kryesor dhe të vetëm për zbatimin e ligjit, duke shtuar se çdo zgjidhje për këtë projekt duhet të jetë në përputhje me këtë kornizë.
“Natyrisht, ne respektojmë pronësinë vendore të procesit, por duhet të kemi parasysh edhe kornizën ligjore që përcaktohet nga Kushtetuta, e cila e konsideron Policinë e Kosovës si institucionin kryesor dhe të vetëm për zbatimin e ligjit”, ka thënë Barbano në një intervistë për KosovaPress.
Sipas tij, informacionet e EULEX-it për këtë çështje janë ende të kufizuara, pasi hapat për krijimin e xhandarmërisë janë në fazat fillestare.
Ai ka shtuar se EULEX-i është i gatshëm të monitorojë zhvillimet dhe, nëse kërkohet, të ofrojë këshilla dhe ekspertizë.
Barbano ka folur edhe për koordinimin ekzistues mes Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it, duke vlerësuar se ky mekanizëm është i konsoliduar.
“Nëse krijohet një aktor i ri, do të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme që ai të integrohet në të njëjtin mekanizëm koordinimi”, ka deklaruar shefi i EULEX-it.



