Mblidhet Bordi i Paqes për Gazën, zbulohet vendi dhe arsyeja e takimit
Bordi i Paqes për Gazën i presidentit të ShBA-së, Donald Trump, do të zhvillojë një takim në një vendpushim në Qipro më 30 qershor, me qëllim “përshtatjen e strategjisë” dhe rikthimin e fokusit te situata në Gaza.
Sipas burimeve të cituara nga “Politico”, dy zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian të përfshirë në përgatitjet e takimit kanë konfirmuar se mbledhja do të mbahet në ishullin mesdhetar dhe do të zgjasë dy deri në tri ditë.
Një nga zyrtarët ka deklaruar se qëllimi i takimit është të “rivendoset” vëmendja te Gaza, pasi lufta në Iran ka zhvendosur fokusin ndërkombëtar gjatë muajve të fundit.
Në takim pritet të marrin pjesë përfaqësues të Komitetit Kombëtar për Administrimin e Gazës, një grup teknokratësh palestinezë që synon të zëvendësojë Hamasin në qeverisjen e Rripit të Gazës, si dhe Zyra e Nikolai Mladenov, ish-diplomatit bullgar i emëruar nga Trump si përfaqësues i lartë për Gazën.
Qiproja do të marrë pjesë si vëzhguese, ndërsa një zyrtar ka sqaruar se vendi nuk është bashkëorganizator dhe takimi nuk do të zhvillohet në nivel politik.
Bordi i Paqes për Gazën, i krijuar nga Trump dhe i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, ka për qëllim mbikëqyrjen e rindërtimit dhe qeverisjes së Rripit të Gazës. Megjithatë, që nga takimi i parë në shkurt, ai ka hasur vështirësi për shkak të çështjeve të financimit, problemeve logjistike dhe diskutimeve mbi legjitimitetin ndërkombëtar dhe ligjor.
Ndërkohë, situata humanitare në Gaza vazhdon të mbetet e rëndë. Në një sulm të fundit izraelit janë vrarë gjashtë persona, përfshirë dy fëmijë dhe një kameraman të “Al Jazeera”-s.
Konflikti nisi pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, ku u vranë rreth 1 200 persona në Izrael dhe u morën peng 251 të tjerë. Pas kësaj, ofensiva izraelite në Gaza ka shkaktuar mijëra viktima palestineze, zhvendosje masive të popullsisë dhe shkatërrime të mëdha në territor.



