Ministri Hoxha pret në takim ish-presidentin francez, François Hollande
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka pritur sot në Tiranë ish-presidentin francez, François Hollande.
Hoxha ka vlerësuar se kjo vizitë pasqyron marrëdhëniet e forta bilaterale mes Shqipërisë dhe Francës, të mbështetura nga një dialog politik intensiv në nivelet më të larta.
Sipas tij, marrëdhëniet mes dy vendeve bazohen në gjashtë shtylla kryesore: Evropë, siguri, investime, kulturë, arsim dhe besim.
Pas takimit, në një postim në rrjetin social “X”, Hoxha ka bërë të ditur se kanë zhvilluar diskutime mbi rolin strategjik të Ballkanit Perëndimor në agjendën aktuale evropiane dhe sfidat gjeopolitike.
Ai ka theksuar se për Shqipërinë, procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian nuk është vetëm objektiv i politikës së jashtme, por një zgjedhje historike dhe identitare, e bazuar në reforma dhe përafrim me vlerat evropiane.
Hoxha dhe Hollande kanë shkëmbyer gjithashtu mendime mbi rolin e Francës në të ardhmen e Evropës dhe në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Ministri shqiptar ka vlerësuar se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE përbën një investim strategjik për sigurinë, stabilitetin dhe demokracinë evropiane.



