Kosova me paraqitje pozitive në miqësoret ndaj Arabisë Saudite
Kombëtarja e Kosovës në basketboll ka zhvilluar dy ndeshje miqësore ndaj Arabisë Saudite, të cilat janë luajtur në Stamboll të Turqisë.
Këto përballje i kanë shërbyer përzgjedhësit Bujar Loci dhe shtabit teknik për të vlerësuar formën e lojtarëve para dy sfidave të rëndësishme ndaj Shqipërisë dhe Sllovakisë.
Në ndeshjen e parë, “Dardanët” kanë pësuar humbje me rezultat 88:84, edhe pse për një pjesë të madhe të takimit ishin në epërsi.
Ndërsa në përballjen e dytë, Kosova është rikthyer me një fitore bindëse, duke triumfuar 91:71. Në përgjithësi, paraqitja e Kosovës është vlerësuar pozitive, me ekipin që po përgatitet për sfidat e ardhshme.
Kosova më 2 korrik në Prizren do të përballet me Shqipërinë, ndërsa tri ditë më vonë do të udhëtojë drejt Sllovakisë. Këto ndeshje janë të vlefshme për parakualifikimet e FIBA Euro Basket 2029.



