Kosova nuk ftohet në Samitin e NATO-s, Ministria e Mbrojtjes jep arsyet
Ministria e Mbrojtjes ka sqaruar se Kosova nuk ka marrë ftesë për pjesëmarrje në Samitin e NATO-s që mbahet në Turqi, pasi nuk është shtet anëtar i NATO-s dhe as pjesë e Programit të Partneritetit për Paqe.
Në përgjigjen zyrtare është thënë se Kosova nuk ka qenë asnjëherë e ftuar në samitet e NATO-s si shtet pjesëmarrës, me përjashtim të disa aktiviteteve të veçanta të organizuara në margjina të samiteve, përfshirë një aktivitet të fushatës “Gratë, Paqja dhe Siguria” të organizuar nga Departamenti i Shtetit i ShBA-së gjatë samitit të vitit të kaluar.
“Lidhur me interesimin tuaj për raportimet se Kosova nuk ka marrë ftesë për pjesëmarrje në Samitin e NATO-s, ju njoftojmë se Republika e Kosovës nuk është shtet anëtar i NATO-s dhe as pjesë e Programit të Partneritetit për Paqe (Partnership for Peace – PfP). Për këtë arsye, ajo nuk merr pjesë në samitet e NATO-s si shtet pjesëmarrës”, është thënë në sqarimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Sipas ministrisë, samitet e NATO-s janë takime të krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare dhe partnerëve të ftuar në raste të caktuara.
Megjithatë, Ministria e Mbrojtjes ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar në rrugën drejt anëtarësimit në NATO, duke vazhduar reformat dhe bashkëpunimin me aleancën dhe shtetet anëtare.



