60 kursantë dyshohet se u helmuan në Akademinë e Sigurisë në Tiranë, reagon kompania e kateringut

25 qershor 2026 | 16:20

Shoqëria “SORI-AL”, e cila ofron shërbimin e kateringut në Akademinë e Sigurisë në Tiranë, ka reaguar përmes një deklarate për media pas rastit ku rreth 60 kursantë dyshohet se janë helmuar nga ushqimi.

Kompania ka theksuar se hetimi lidhur me ngjarjen duhet të përfshijë jo vetëm procesin e shpërndarjes së ushqimit, por edhe mënyrën dhe kushtet në të cilat ai ruhet dhe konsumohet.

“SORI-AL” ka bërë të ditur se, në kuadër të monitorimeve të saj, janë konstatuar dhe dokumentuar raste të futjes dhe konsumimit në ambientet e Akademisë të produkteve ushqimore të porositura jashtë sistemit të furnizimit të kontraktuar.

“Ky është një element faktik, i dokumentuar nga ana jonë, i cili, sipas vlerësimit tonë, duhet të jetë pjesë e hetimit objektiv të institucioneve kompetente, pasi çdo ushqim i konsumuar jashtë zinxhirit të kontrolluar të furnizimit mund të përbëjë një faktor që duhet të verifikohet”, thuhet në deklaratë.

Duke iu referuar kushteve në Akademinë e Sigurisë, kompania ka theksuar se gjatë konsumimit të ushqimit mungojnë disa elemente bazë të kushteve higjieno-sanitare.

“Po ashtu, nga monitorimet dhe verifikimet e kryera nga stafi ynë gjatë ofrimit të shërbimit, është konstatuar se procesi i konsumimit të ushqimit zhvillohet në kushte ku mungojnë disa elemente bazë të higjienës, si mundësia për larjen e duarve me ujë të ngrohtë dhe detergjent para konsumimit të vakteve. Gjithashtu, është vërejtur se në shumë raste studentët paraqiten për konsumimin e ushqimit menjëherë pas përfundimit të stërvitjeve”, thuhet në reagim.

Kompania ka theksuar se këto rrethana nuk paraqiten për të shmangur apo transferuar përgjegjësinë, por për të evidentuar se siguria ushqimore është rezultat i funksionimit të të gjithë zinxhirit të sigurisë, duke përfshirë jo vetëm prodhimin dhe shpërndarjen e ushqimit, por edhe mënyrën dhe kushtet në të cilat ai ruhet dhe konsumohet.

“SORI-AL” ka bërë të ditur se mbetet e gatshme të bashkëpunojë me institucionet kompetente dhe ka kërkuar që rasti të hetohet mbi bazën e provave shkencore, epidemiologjike dhe laboratorike, pa nxjerrë përfundime të parakohshme.

Kompania ka shtuar se është në pritje të rezultateve të analizave laboratorike të kampioneve të marra nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, si dhe të analizave të kryera me iniciativën e saj në një laborator tjetër të akredituar, në kuadër të sistemit të autokontrollit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ministri i LDK-së dhe ish-deputeti, Agim Veliu, ka thënë se…