Gjini: LV-ja po provon sërish ta ‘zaptojë’ komplet skenën institucionale

26 qershor 2026 | 13:12

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, në një konferencë për medie, ka deklaruar se Kosova rrezikon të futet sërish në një krizë të mungesës së institucioneve.

Ai ka thënë se rrjedha kushtetuese për formimin e institucioneve të reja është konstituimi i Kuvendit, zgjedhja e presidentit dhe më pas formimi i qeverisë.

“Në bazë të normës kushtetuese, fillimisht duhet të zgjidhet kryetari ose kryetarja e Kuvendit, pastaj duhet të konstituohet Kuvendi, të zgjidhet presidenti ose presidentja e shtetit dhe më pas mandatohet kandidati për kryeministër për formimin e Qeverisë. Kjo është rrjedha normale dhe kushtetuese në Kosovë. Vetë fakti që edhe kjo çështje po bëhet temë diskutimi, na bën të besojmë se dikush dëshiron të shtyjë një agjendë që nuk është unifikuese dhe që nuk është në të mirën e qytetarëve të Kosovës. Kjo rrezikon të prodhojë një krizë të re dhe ta mbajë vendin edhe më gjatë në paqartësi”, ka deklaruar Gjini.

Ai ka shtuar se në rrethana normale kjo çështje nuk do të duhej të ishte fare temë diskutimi.

“Nëse do të kishte politikanë normalë, që e duan shtetin e tyre, çfarë rëndësie do të kishte se kush zgjidhet i pari e kush i dyti? Në fakt, në rrethana të njerëzve të përgjegjshëm kjo nuk do të duhej të ishte fare temë. Vetë fakti që partia që ka marrë më së shumti vota insiston të shkojë kundër normës kushtetuese dhe të zgjedhë fillimisht Qeverinë, na bën të kuptojmë se sërish ekziston tendenca për të provuar ta ‘zaptojë’ komplet skenën institucionale të Kosovës”, ka përfunduar Gjini.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë me dije se…