Dhoma e Tregtisë i kërkon Komunës së Prishtinës rishikimin e Draft-Rregullores për tarifa, ngarkesa dhe gjoba
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka shqyrtuar me kujdes Draft-Rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale të kryeqytetit dhe me këtë rast shpreh shqetësimin e saj lidhur me disa dispozita, të cilat mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në klimën e të bërit biznes, konkurrueshmërinë dhe investimet në kryeqytet.
DHTIK vlerëson se çdo ndryshim fiskal duhet të bazohet në parimet e proporcionalitetit, sigurisë juridike dhe konsultimit të mirëfilltë me komunitetin e biznesit, gjë që në këtë rast komuna e Prishtinës nuk e ka bërë.
“Në këtë drejtim, konsiderojmë se draft-rregullorja parasheh rritje të konsiderueshme të tarifave për disa veprimtari pa u dhënë ndonjë arsyetim ekonomik ose analizë e ndikimit. Tarifa të tilla krijojnë barrë shtesë financiare, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Për shembull, një furrë buke, kafene apo dyqan i vogël që tashmë përballet me rritje të kostove të energjisë, qirasë dhe pagave, do të ketë edhe më të vështirë të operojë nëse kjo rregullore hyn në fuqi. Tarifimi i secilës njësi biznesore veçmas, dekurajon zgjerimin e bizneseve dhe do të ndikoj në rritjen e ndjeshme të kostove dhe ulje të aktivitetit ekonomik”, është thënë në reagimin e DHTIK-së.
DHTIK konsideron se çdo politikë fiskale si në nivel qendror ashtu edhe në këtë rast në nivelin lokal, duhet të synojë krijimin e një mjedisi sa më të favorshëm për investime, zhvillimin e bizneseve dhe hapjen e vendeve të reja të punës, e jo rritjen e barrës administrative dhe financiare për bizneset.
“Gjithashtu, propozimi aktual i Komunës së Prishtinës për rikthimin e taksave të biznesit bie ndesh me arkitekturën fiskale të vendosur ndërmjet viteve 2008-2012 me mbështetjen e Bankës Botërore dhe USAID-it që kishte për qëllim krijimin e një sistemi të thjeshtë, transparent dhe konkurrues të taksimit, duke eliminuar taksat komunale mbi bizneset dhe duke reduktuar barrën administrative. Këto reforma synonin krijimin e një mjedisi më të favorshëm për investime, formalizimin e ekonomisë dhe rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit privat. Modeli fiskal i ndërtuar pas vitit 2008 ka qenë një ndër faktorët kyç që ka kontribuar në zhvillimin ekonomik të Prishtinës, forcimin e bizneseve dhe rritjen e investimeve. Për këtë arsye, ftojmë Komunën e Prishtinës që, para miratimit përfundimtar të kësaj rregulloreje, të organizojë konsultime të zgjeruara me komunitetin e biznesit, në mënyrë që të gjenden zgjidhje të balancuara që mbrojnë interesin publik pa cenuar zhvillimin ekonomik dhe konkurrueshmërinë e sektorit privat”, ka vlerësuar DHTIK.



