Votat e komuniteteve, “vendimtare” për institucionet

26 qershor 2026 | 13:16

Pas përfundimit të procesit zgjedhor të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, dhe pas përfundimit të procesit të ankesave, pritet që së shpejti KQZ-ja të certifikojë rezultatin final të partive politike në vend.

Lëvizja Vetëvendosje, si parti e parë nga këto zgjedhje, do të përfaqësohet nga 53 deputetë në legjislaturën e re. PDK-ja ka siguruar 22 ulëse, LDK-ja 18, kurse Aleanca 7.

Pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, procesi i radhës pritet të jetë konstituimi i Kuvendit të Kosovës, aty ku vitin e kaluar ky proces prodhoi ‘ngërç’ politik për shkak të mosmarrëveshjes politike të subjekteve parlamentare për emrin e kryetarit të ri të legjislativit, e më pas edhe të presidentit – çka çoi në zgjedhje të reja të parakohshme.

Rezultatet zgjedhore të 7 qershorit, megjithatë ia mundësojnë partisë së parë që në bashkëpunim me komunitetet jo shumicë të kalojë në hapat drejt formimit të Qeverisë së re të Kosovës.

Rreth pozicionimit të deputetëve nga pakicat, klankosova.tv ka kontaktuar me deputetët Emilija Rexhepi, Fikrim Damka dhe Albert Kinolli.

Rexhepi nga partia e boshnjakëve të Kosovës, “Nova Demokratska Stranka”, për Klankosova.tv la të nënkuptohet se vota e saj do të jetë pro bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje. “Ne e presim rezultatin zyrtar, pastaj jemi gati për të formuar e votuar institucionet e Republikës së Kosovës. Fillimisht votojmë për parlamentin, pastaj për qeverinë dhe presidentin e Kosovës”. “Besoj që po”, tha ajo kur u pyet nëse është e gatshme të votojë një qeveri me LV-në.

Në anën tjetër, Fikrim Damka nga partia e turqve të Kosovës, KDTP, tha se ai dhe bashkëpartiakja e tij që fituan ulëse në Kuvend, Fatma Taçi, do të votojnë pro formimit të tre institucioneve të Republikës së Kosovës, bashkë me LV-në. “Edhe më herët e kam deklaruar se ne si KDTP me dy deputetë jemi për Qeverinë Kurti 4. Së pari do të formohet Kuvendi, të zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit. Ne e kemi votën për kryetarin dhe nënkryetarët dhe pastaj në agjendë besoj se duhet të jetë formimi i qeverisë së re dhe zgjedhja e presidentit. Ne si dy deputetë jemi për që sa më shpejt të formohen këto 3 institucione në Republikën e Kosovës”, tha Damka.

Konstruktiv tha se do të jetë edhe Albert Kinolli nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK) i cili u shpreh se do të votojë pro për formimin e institucioneve të reja. “Tashmë siç e dini, Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, tashmë 9 mandate është pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës, ne gjithmonë e kemi luajtur rolin tonë konstruktiv për të mirën e shtetit, njëjtë do të vazhdojmë edhe kësaj radhe, sepse është e rëndësishme që të formohen institucionet e Republikës së Kosovës dhe në radhë të parë vjen interesi shtetëror e pastaj ai kombëtar e partiak. Kështu që pa hezitim, Partia Rome e Bashkuar e Kosovës do luajë rolin e saj konstruktiv dhe do të japë votën e saj pro edhe Kuvendit edhe Qeverisë së Kosovës dhe dhashtë Zoti që partitë e mëdha politike të arrijnë marrëveshje dhe të votohet edhe presidenti”, tha Kinolli.

Qëndrim të ngjashëm ka edhe kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, deputeti Veton Berisha, i cili në një intervistë për “Edicionin Special” në Klan Kosova më 24 qershor, i pyetur nëse do të kontribuonte për zgjidhjen e situatës dhe krijimin e institucioneve të reja, tha se nuk ka qenë asnjëherë pengesë për arritjen e një marrëveshjeje. “Absolutisht. Unë e kam qëndrimin tim që asnjëherë nuk kam qenë pengesë. Çdo herë kur deri te unë do të vijë një moment i zgjidhjes së problemit, pa asnjë lloj kushti do ta bëja që të dalim nga kjo situatë. Megjithatë, normalisht që, siç e thashë, kemi për obligim t’i shtyjmë sa më shumë interesat, të drejtat dhe nevojat e komuniteteve tona”, tha Berisha.

Me certifikimin e rezultateve përfundimtare dhe nisjen e procesit të konstituimit të institucioneve, vëmendja tashmë pritet të përqendrohet te marrëveshjet politike mes subjekteve të mëdha parlamentare shqiptare.

Me sinjalet e dhëna nga përfaqësuesit e komuniteteve jo shumicë për mbështetjen e formimit të institucioneve të reja, mbetet të shihet nëse ky proces do të zhvillohet pa pengesa dhe nëse Kuvendi, Qeveria dhe Presidenca do të arrijnë të marrin mandatet e nevojshme për funksionim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka deklaruar se partia e…