Europoli: 731 rrjete kriminale janë aktive në Evropë

26 qershor 2026 | 15:10

Raporti i fundit i Europolit ka zbuluar se në Evropë janë aktive 731 rrjete kriminale, të cilat përfshijnë më shumë se 400 mijë anëtarë nga 118 kombësi të ndryshme, ka bërë të ditur të premten agjencia evropiane e policisë.

Studimi i Europolit ka treguar se këto grupe shpesh veprojnë përtej kufijve dhe në mënyrë shumë profesionale, ndërsa 85 për qind e tyre përdorin struktura të ligjshme biznesi për realizimin e aktiviteteve kriminale.

Sipas raportit, grupet janë aktive në një spektër të gjerë të krimit, përfshirë trafikimin e drogës, krimin kibernetik, kontrabandën e migrantëve, trafikimin e qenieve njerëzore, mashtrimin dhe pastrimin e parave.

Europoli ka thënë se këto rrjete shfrytëzojnë zhvillimet digjitale dhe teknologjike, tregtinë globale dhe paqëndrueshmërinë gjeopolitike për të zgjeruar aktivitetet e tyre.

Dy vjet më parë, Europoli ka prezantuar studimin e parë gjithëpërfshirës mbi rrjetet kriminale në Evropë. Raporti i ri tregon se 76 për qind e rrjeteve të identifikuara janë të reja. Megjithatë, agjencia ka evidentuar edhe një bërthamë prej 198 grupesh kriminale që vazhdojnë aktivitetin e tyre. Në raportin e mëparshëm ishin identifikuar 821 rrjete.

“Sipas ekspertëve, ky ndryshim nuk është domosdoshmërisht shenjë suksesi për hetuesit. Ai tregon se sa fleksibile janë këto rrjete dhe sa shpejt riorganizohen nën presionin e hetimeve policore”, ka thënë agjencia.

Sipas raportit, arrestimi i figurave kyçe mund të destabilizojë një rrjet kriminal, por aktorë të rinj shpesh shfaqen për të mbushur boshllëqet e krijuara në udhëheqje.

Për këtë arsye, Europoli ka theksuar se nuk mjafton vetëm goditja e drejtuesve kryesorë, por hetuesit duhet të synojnë çmontimin e të gjithë strukturave kriminale dhe ndërprerjen e infrastrukturës së tyre logjistike, financiare dhe digjitale, raporton “DPA”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka reaguar pas deklaratave të…