Debati për të kaluarën e Dritan Goxhajt përfundon në gjykatë, avokati kërkon verifikim zyrtar
Avokati Gent Gjini ka dorëzuar padi në Departamentin Civil të Gjykatës Themelore në Prishtinë kundër Dritan Goxhajt, me qëllim që përmes rrugëve ligjore të sqarohet nëse ky i fundit ka qenë apo jo ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas Gjinit, çështja lidhet me debatet e fundit publike pas publikimit të një dokumenti nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka ngritur pikëpyetje rreth rolit të Goxhajt gjatë luftës në Kosovë.
“Është fjala për figurën e Dritan Goxhajt. Ai është qytetar i Republikës së Shqipërisë dhe është një person për të cilin ne, si popullatë shqiptare, në veçanti pas deklarimeve të kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, kemi parë të ngrihen dyshime nëse është apo jo veteran dhe nëse i ka shërbyer Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Gjini.
Sipas tij, pesha publike e deklaratave të kryeministrit Edi Rama dhe publikimi i dokumentit kanë nxitur nevojën për verifikim të autenticitetit të tij.
“Duke qenë se fjala e kryeministrit Edi Rama ka peshë dhe ndikim, mënyra se si është publikuar ky informacion, përfshirë edhe dokumentin e prezantuar, më ka shtyrë si avokat dhe si qytetar që kjo çështje të sqarohet në rrugë ligjore”, ka deklaruar ai.
Gjini ka përmendur edhe reagimet e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, duke thënë se, sipas tij, nuk ekzistojnë të dhëna të qarta për frontin apo njësinë ku Goxhaj ka vepruar.
“Kam kuptuar se ka paqartësi lidhur me statusin e tij, kartelën e veteranit apo anëtarësinë. Këto janë çështje që duhet të sqarohen dhe të verifikohen. Nëse bëhet fjalë për spekulime, ato duhet të mbyllen, ndërsa nëse rezultojnë të vërteta, atëherë duhet të ndiqen rrugët ligjore dhe të përcaktohen përgjegjësitë”, është shprehur Gjini.
Ai ka theksuar se procesi gjyqësor pritet të sqarojë dokumentet dhe autenticitetin e tyre, përfshirë edhe ato të publikuara më herët nga Rama.



