Ancelotti ka rikthyer besimin te Brazili
U desh pak kohë që Carlo Ancelotti të bëhej i popullarizuar në Brazil. Ai mori drejtimin e një skuadre me disa pikëpyetje në Kupën e Botës, ndërsa barazimi pa shkëlqim ndaj Marokut nuk e ndihmoi aspak situatën e trajnerit italian.
Megjithatë, me fitoret 3:0 ndaj Haitit dhe Skocisë, Brazili është kualifikuar në fazën me eliminim direkt me besim të rikthyer dhe ambicie për ta fituar trofeun.
Duket se Ancelotti më në fund po hap rrugën e tij te pesë herë kampioni i botës.
“Ai është trajneri më i madh i të gjitha kohërave”, ka thënë tifozi brazilian Luca Scapinelli para fitores ndaj Skocisë. “Pesë trofe të Ligës së Kampionëve dhe triumfe në të gjitha ligat e mëdha evropiane. Ai mund të ofrojë shumë. Nuk kemi pasur një trajner kaq të madh prej shumë kohësh”.
Suksesi në nivel klubesh, veçanërisht me Real Madridin dhe Milanin, ishte arsyeja kryesore pse Brazili e angazhoi trajnerin italian rreth një vit më parë. Kombëtarja braziliane nuk e ka fituar Kupën e Botës që nga viti 2002.
Emëruesi i përbashkët i suksesit të Brazilit deri më tani në turne është Vinicius Junior. Ylli i Real Madridit, i cili ka pasur vështirësi ta shfaqë me kombëtaren të njëjtën cilësi që tregon në klub, ka shënuar në të tria ndeshjet. Ai realizoi dy herë ndaj Skocisë dhe tani ka katër gola në këtë Botëror.
Ancelotti e ka drejtuar Viniciusin në Madrid nga viti 2021 deri në vitin 2025, duke e ndihmuar të shndërrohej në një yll global.
Dyshja fitoi dy trofe të Ligës së Kampionëve, dy tituj të La Ligës dhe një Kupë të Mbretit gjatë kësaj periudhe.
“Është kënaqësi, sepse nuk kam pasur asnjë dyshim se si ai mund të paraqitej në këtë Kupë të Botës”, ka thënë Ancelotti për Viniciusin.
“Për të është nder të luajë për ekipin kombëtar. Ai është një nga lojtarët më të mirë në botë, pa asnjë dyshim”.
Viniciusi ka thënë se tekniku italian e ka ndihmuar të shënojë më shumë gola.
Gjatë prezantimit si përzgjedhës, Ancelotti kishte theksuar se gjithmonë ka ndier “një lidhje të veçantë me Brazilin” dhe se e kuptonte presionin që ekziston për ta rikthyer vendin në majën e futbollit botëror.
Kjo lidhje duket se po shfaqet në momentin e duhur. Kur emri i Ancelottit u përmend para ndeshjes me Skocinë, tifozëria braziliane në stadium e priti me duartrokitje të fuqishme.
Disa tifozë fillimisht nuk ishin të kënaqur me emërimin e një trajneri të huaj, por kjo pakënaqësi duket se është zhdukur.
Në raundin e parë të fazës me eliminim direkt, Brazili do të përballet me Japoninë. Ndeshja zhvillohet të hënën nga ora 19:00 në Houston.



