Maqedonci: Besimi i qytetarëve ndaj FSK-së është nder, por edhe përgjegjësi

26 qershor 2026 | 15:31

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka vlerësuar rezultatet e Anketës Rajonale WeBalkans 2026, sipas së cilës Forca e Sigurisë së Kosovës vazhdon të jetë institucioni më i besueshëm në vend, me 87.4 për qind të besimit nga qytetarët.

Në një reagim publik, Maqedonci ka thënë se ky rezultat përbën një vlerësim të rëndësishëm për punën, profesionalizmin dhe përkushtimin e FSK-së, duke theksuar se kjo forcë është gjithashtu institucioni ushtarak me nivelin më të lartë të besueshmërisë qytetare në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë.

Ai ka falënderuar qytetarët për besimin e treguar ndaj FSK-së, duke theksuar se ky vlerësim dëshmon se investimet në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse, ngritjen profesionale të personelit dhe ndërtimin e një force moderne po japin rezultatet e synuara.

Maqedonci ka shprehur mirënjohje për të gjithë ushtarakët, nënoficerët, oficerët dhe personelin civil të FSK-së për angazhimin e tyre të përditshëm, ndërsa ka vlerësuar edhe rolin e komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, si dhe të Shtabit të Përgjithshëm në udhëheqjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të forcës.

Sipas tij, Ministria e Mbrojtjes do të vazhdojë të mbështesë transformimin dhe modernizimin e FSK-së, në përputhje me standardet e NATO-s dhe objektivat strategjike të Republikës së Kosovës.

“Besimi i qytetarëve është nder i madh, por mbi të gjitha është përgjegjësi. Ai na motivon të vazhdojmë me edhe më shumë vendosmëri në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse, rritjen e gatishmërisë operacionale dhe avancimin e partneriteteve me aleatët tanë, në shërbim të sigurisë së qytetarëve dhe mbrojtjes së Republikës së Kosovës”, ka thënë Maqedonci.

Ministri ka theksuar se Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të vazhdojnë punën për zhvillimin e mëtejshëm të ushtrisë, me synim krijimin e një Kosove më të sigurt dhe përmbushjen e aspiratës strategjike të vendit për anëtarësim në NATO.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ferdonije Qerkezi sot shënon ditëlindjen e 73-të, një grua e…