Neutraliteti i KFOR-it ndaj statusit shtetëror të Kosovës, nuk është autorizim për të anashkaluar institucionet e saj

27 nëntor 2026 | 15:28

Shkruan: Gjeneral Hisen Berisha 

(Kosova duhet të flasë si shtet, jo të sillet si palë që pret leje për sovranitetin e saj, kur trajtohet si çështje protokolli.)

Përgjegjësia e kësaj qeverie është më e madhe se kurrë! Kosova sot është shtet i pavarur, jo protektorat ndërkombëtar!

Hyrja e personelit të lartë ushtarak serb në Kosovë për takim me KFOR-in nuk është thjesht një çështje protokolli ushtarak. Ajo ngre çështje të drejtpërdrejta të sovranitetit shtetëror, sigurisë kombëtare dhe respektimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Por ajo që e bën këtë zhvillim edhe më shqetësues është përgjegjësia e udhëheqjes aktuale politike të Kosovës.

Asnjë qeverisje e Kosovës, që nga vendosja e saj nën administrimin ndërkombëtar pas vitit 1999, nuk është përballur me këtë përgjegjësi në rrethanat e sotme shtetërore.
Në atë periudhë, KFOR-i vepronte në një realitet krejt tjetër juridik dhe institucional, me kompetenca të gjera ndërkombëtare, ndërsa Kosova nuk kishte as pavarësi, as institucione sovrane dhe as kompetencat shtetërore që i ka sot.

Sot situata është thelbësisht tjetër.

Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran, me Kushtetutën e saj, me institucione të zgjedhura, me Ministri të Mbrojtjes, Forcë të Sigurisë, institucione të inteligjencës, diplomaci dhe përgjegjësi kushtetuese për mbrojtjen e rendit, sigurisë dhe integritetit territorial.

Prandaj, qeveria aktuale nuk mund të fshihet pas mandatit të KFOR-it dhe as ta trajtojë anashkalimin e institucioneve të Kosovës si një çështje të zakonshme protokolli.

Përgjegjësia e saj shkon përtej relativizimit të kompetencave të institucioneve shtetërore. Ajo është përgjegjësi për mbrojtjen aktive të sovranitetit, dinjitetit dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

KFOR-i ka mandat ndërkombëtar, por Kosova ka shtetësinë e saj!

KFOR-i vepron në Kosovë mbi bazën e mandatit ndërkombëtar të përcaktuar me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Qëndrimi i tij institucional është neutral ndaj statusit politik të Kosovës. Ky është realiteti juridik i mandatit të tij.

Por neutraliteti ndaj statusit nuk mund të interpretohet si relativizim i realitetit shtetëror të Kosovës, as si autorizim për të anashkaluar institucionet e saj.

Duhet bërë një dallim thelbësor, për atë se, KFOR-i ka mandat ndërkombëtar për sigurinë, ndërsa Republika e Kosovës ka përgjegjësi shtetërore dhe kushtetuese për territorin dhe institucionet e saj.

Mandati ndërkombëtar i KFOR-it nuk e zhvesh Kosovën nga sovraniteti dhe nuk e përjashton detyrimin për konsultim, koordinim dhe transparencë në çështje që prekin drejtpërdrejt sigurinë e vendit.

Në këtë kontekst, fakti që takimi është zhvilluar në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it, në Film City, dhe jo në bazën amerikane Bondsteel, është një element që do sqarim. Ky fakt, i marrë veçmas, nuk provon ndonjë qëllim apo marrëveshje të veçantë, por e bën të arsyeshme kërkesën për transparencë lidhur me nivelin e koordinimit ndërmjet komandave përkatëse të KFOR-it.

Pyetja kryesore është nëse për këtë hyrje dhe takim janë konsultuar institucionet e Republikës së Kosovës dhe nëse është informuar e koordinuar edhe komanda e Forcave Amerikane, brenda zinxhirit komandues të KFOR-it.

Nëse institucionet e Kosovës janë anashkaluar, kemi të bëjmë me një problem serioz institucional dhe diplomatik, i cili nuk mund të kalojë në heshtje.

Asnjë strukturë ndërkombëtare, sado i rëndësishëm të jetë mandati i saj, nuk duhet ta trajtojë shtetin e Kosovës sikur institucionet e tij të jenë thjesht një adresë protokollare.

Serbia nuk mund të ketë privilegje ushtarake në një shtet fqinjë që nuk e njeh dhe ende i ka të hapura çështjet e shtetësis, si përmbyllja e dialogut me marrëveshje finale dhe njohje të ndërsjellë; ratifikimin ndërkombëtar të kufirit ndërshtetëror Kosovë – Serbi dhe ulësen për Kosovën në OKB.

Përderisa Serbia vazhdon të mos e njohë Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, çdo hyrje e personelit të saj ushtarak në territorin e Kosovës, veçanërisht kur bëhet fjalë për drejtues të lartë të ushtrisë dhe institucioneve të sigurisë serbe, kërkon trajtim me seriozitet maksimal.

Nuk mund të sillemi sikur Kosova është një territor i papërcaktuar, ku Serbia mund të ketë qasje të veçantë ushtarake dhe politike, ndërkohë që vazhdon ta kontestojë shtetësinë e saj.

Kjo nuk është kërkesë për të penguar komunikimin profesional ndërmjet KFOR-it dhe strukturave ushtarake serbe, kur ai është pjesë e mandatit dhe mekanizmave përkatës. Është kërkesë që ky komunikim të mos prodhojë perceptimin e një statusi të privilegjuar të Serbisë në raport me Kosovën dhe të mos zhvillohet duke anashkaluar përgjegjësitë shtetërore të institucioneve tona.

Personeli ushtarak serb nuk mund të trajtohet si çështje e zakonshme administrative pa u vlerësuar rrethanat, autorizimi, niveli i përfaqësimit dhe implikimet e mundshme për sigurinë kombëtare.

Heshtja e qeverisë është problem më vete!

Pyetjet që kërkojnë përgjigje janë të drejtpërdrejta:
-Kush e ka autorizuar hyrjen e personelit të lartë ushtarak serb?
-Cilat kanë qenë arsyet dhe temat e takimit?
-A janë informuar dhe konsultuar institucionet kompetente të Republikës së Kosovës?
-A është koordinuar kjo vizitë me zinxhirin komandues të KFOR-it, përfshirë komandën amerikane?
-Cilat garanci janë marrë për respektimin e sovranitetit dhe sigurisë së Kosovës?

Këto nuk janë pyetje retorike. Janë çështje të përgjegjësisë shtetërore.

Qeveria, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Punëve të Jashtme dhe institucionet e sigurisë duhet të kërkojnë sqarime zyrtare.

Dhe këtu qëndron dallimi ndërmjet një qeverisjeje që e kupton përgjegjësinë e shtetësisë dhe një qeverisjeje që vazhdon ta trajtojë Kosovën përmes logjikës së kompetencave të kufizuara të periudhës së administrimit ndërkombëtar.

Sot nuk jemi në vitin 1999, as në periudhën e UNMIK-ut.
Kosova nuk është më një territor nën administrim ndërkombëtar pa institucione sovrane.
Mbikqyrja e pavarësisë është hequr plotësisht që nga viti 2014.
Është shtet i pavarur, ndërsa qeveria e saj duhet të veprojë me përgjegjësinë që buron nga kjo shtetësi.

Në ketë kontekst, Banja 2023 është dhe mbetet një përgjegjësi që ende kërkon zbardhje dhe adresim të përgjegjësive!

Kjo çështje merr një dimension edhe më të ndjeshëm kur vendoset në kontekstin e sulmit terrorist në Banjë, më 24 shtator 2023.

Ende kërkohet transparencë e plotë institucionale për të gjitha rrethanat e operacionit, për komunikimin ndërmjet strukturave të sigurisë dhe për përgjegjësitë që lidhen me mandatin e KFOR-it gjatë dhe pas ngjarjeve.

Nuk po paragjykoj përgjegjësi juridike të KFOR-it pa dokumentim dhe vlerësim përkatës. Por është e papranueshme që një ngjarje me pasoja kaq të rënda për sigurinë e Kosovës të mos shoqërohet me sqarim të plotë të përgjegjësive institucionale.

Banjë nuk ishte incident i zakonshëm. Ishte sulm i armatosur ndaj integritetit territorial, rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, me implikime të drejtpërdrejta për raportet e sigurisë në rajon.

Prandaj, çdo komunikim dhe çdo takim i nivelit të lartë ndërmjet KFOR-it dhe strukturave ushtarake serbe duhet të vlerësohet edhe në dritën e këtij realiteti.

Nuk mund të kërkohet nga Kosova besim i pakushtëzuar, ndërkohë që çështjet e ndjeshme të sigurisë dhe përgjegjësisë institucionale mbeten pa sqarimet e nevojshme.

Por shqetësimi im nuk kufizohet vetëm te ky rast, por te Qeveria me orientim projugosllav dhe rreziku i relativizimit të shtetësisë!

Problemi është edhe më i thellë, sepse ndodh në një periudhë kur drejtimi politik i Kosovës po karakterizohet nga një qasje që, sipas vlerësimit tim, po e largon vendin nga fryma euroatlantike e shtetndërtimit dhe po rikthen në qarkullim një mendësi politike me nostalgji për strukturat dhe narrativat e ish-Jugosllavisë.

Kritika ime ndaj kësaj qasjeje është politike dhe institucionale, sepse, kur relativizohet historia e shtetformimit të Kosovës, kur zbehet roli i luftës për liri, pavarësi e shtet i UÇK, kur dobësohet partneriteti strategjik me SHBA-në dhe kur institucionet nuk reagojnë me vendosmëri ndaj veprimeve të Serbisë, atëherë krijohet një rrezik serioz për orientimin dhe identitetin shtetëror të vendit.

Në këtë kontekst, përgjegjësia e presidentes së Republikës nuk mund të lihet jashtë debatit. Presidentja nuk është figurë ceremoniale dhe as përmbyllëse e një piramide politike. Ajo është institucion kushtetues që duhet të përfaqësojë unitetin e popullit, pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës.

Çdo afërsi politike me narrativa jugonostalgjike, çdo tolerim i relativizimit të shtetësisë dhe çdo mungesë e qëndrimit të qartë ndaj Serbisë duhet të bëhet objekt i debatit publik dhe institucional.

Kosova nuk mund ta ndërtojë të ardhmen si shtet të pavarur duke u kthyer politikisht te mendësia e një sistemi që nuk e njohu vullnetin e saj për liri dhe vetëvendosje.

“Republika e Tretë”, një emërtim që nuk duhet të fshehë rikthimin në statusin e oftuar nga Millosheviqi si zgjidhje politike!

Nuk mund të mos e lidh këtë zhvillim edhe me rrezikun e promovimit të koncepteve politike që e relativizojnë pavarësinë e Kosovës dhe e trajtojnë atë si një status të ndërmjetëm, të negociueshëm apo të rishikueshëm.

Çdo ide për një të ashtuquajtur “Republikë të Tretë”, nëse synon ta zhvendosë Kosovën nga pozita e saj si shtet i pavarur dhe sovran drejt një statusi të paqartë, duhet kundërshtuar me argumente kushtetuese, politike dhe historike.

Pa e harruar porosinë e Sami Frashërit se: “duhet ta themi e mbrojmë me fjalë por edhe pushken ta kemi plot”, si çmim ndaj tradhtisë së interesave kombëtare.

Kosova nuk mund të kthehet në një formulë të statusit të ndërmjetëm, aq më pak në një realitet që do t’i ngjante formules së kohës së Millosheviqit, “më shumë se autonomi e më pak se pavarësi”.

Ne nuk kemi luftuar për ta zëvendësuar një emërtim administrativ me një tjetër.
Nuk kemi sakrifikuar për ta ndërtuar një shtet që sot do të vihej në diskutim përmes formulave politike, të cilat e zbehin pavarësinë e tij.

Republika e Kosovës nuk është republikë me afat, as projekt politik i përkohshëm, siç është cilësuar nga kjo nomenklatur qeverisëse.
Është shtet i pavarur, i ndërtuar mbi sakrificën e një populli dhe i mbështetur nga aleanca vendimtare ndërkombëtare.

Reagimi duhet të jetë diplomatik, por edhe shtetëror!

Përballë kësaj situate, kërkohet reagim serioz në disa drejtime.

Së pari, institucionet e Kosovës duhet t’i kërkojnë KFOR-it një sqarim zyrtar për hyrjen, nivelin e përfaqësimit, qëllimin e takimit dhe procedurat e koordinimit me institucionet e Republikës së Kosovës.

Së dyti, çështja duhet të ngrihet në kanalet diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes Departamentit të Shtetit, Pentagonit dhe përfaqësuesve përkatës në Kongres e Senat.

Shtetet e Bashkuara nuk janë vetëm aleati më i rëndësishëm i Kosovës. Ato janë partneri strategjik vendimtar në procesin e çlirimit, shtetndërtimit dhe konsolidimit ndërkombëtar të Republikës.

Prandaj kërkohet diplomaci që ka komunikim të drejtpërdrejtë, besueshmëri dhe dyer të hapura në Uashington. Nuk mjafton diplomacia e deklaratave publike, e as ajo që aktivizohet vetëm kur shfaqet një krizë politike.

Së treti, çështja duhet të trajtohet edhe në Bruksel, në raport me NATO-n dhe institucionet e Bashkimit Evropian, duke kërkuar respektimin e standardeve të sigurisë, transparencës dhe subjektivitetit shtetëror të Kosovës.

Kjo nuk është kërkesë për të cenuar mandatin e KFOR-it. Përkundrazi, është kërkesë që ai mandat të zbatohet me përgjegjësi, transparencë dhe respekt për realitetin institucional të Republikës së Kosovës.

Kosova duhet të flasë si shtet, jo të sillet si palë që pret leje për sovranitetin e saj!

Nuk është në interesin e Kosovës të krijojë përplasje me KFOR-in, NATO-n apo SHBA-në. Përkundrazi, interes jetik i vendit është ruajtja dhe forcimi i kësaj aleance.

Por aleanca nuk nënkupton heshtje përballë çështjeve që prekin interesin shtetëror. Partneriteti kërkon besim, ndërsa besimi kërkon transparencë dhe respekt të ndërsjellë.

Kosova duhet të kërkojë që çdo marrëdhënie dhe komunikim ndërmjet strukturave ushtarake ndërkombëtare dhe atyre serbe të zhvillohet në përputhje me mandatin përkatës, me procedura të qarta dhe pa anashkaluar institucionet e shtetit tonë.

Serbia nuk mund të sillet si palë me të drejta të veçanta në territorin e Kosovës, ndërkohë që vazhdon ta kontestojë pavarësinë e saj.

Dhe institucionet e Kosovës nuk mund të heshtin, ndërkohë që sovraniteti i vendit trajtohet si çështje protokolli.

Përgjegjësia e kësaj qeverie është më e madhe se e çdo qeverisjeje të periudhës së administrimit ndërkombëtar, sepse sot ajo ushtron pushtetin në emër të një shteti të pavarur. Ajo nuk mund të sillet sikur Kosova të mos ketë kompetenca, institucione dhe subjektivitet shtetëror.

Nëse qeveria nuk është në gjendje ta ushtrojë këtë përgjegjësi, atëherë problemi nuk është vetëm te mënyra se si KFOR-i e interpreton mandatin e vet. Problemi është te vetëdija shtetërore dhe vullneti politik i udhëheqjes së Kosovës.

Kosova nuk është territor i padefinuar. Nuk është oborr i Serbisë. Nuk është protektorat ndërkombëtar dhe as projekt për t’u rishikuar sipas interesave të Beogradit.

Republika e Kosovës, është shtet i pavarur dhe sovran.

Dhe ky realitet nuk duhet të relativizohet as nga Serbia, as nga ndonjë strukturë ndërkombëtare, e aq më pak nga papërgjegjësia e udhëheqjes politike të vetë Kosovës!

SOVRANITETI NUK ËSHTË PROTOKOLL.
PAVARËSIA NUK ËSHTË NEGOCIATË E PËRHERSHME.
KOSOVA ËSHTË SHTET!

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Monika Kryemadhi rikthehet si opinioniste në Big Brother VIP Albania…